Bisedë rreth asaj se sa komplekse është tregtia me Shqipërinë, Foto: KALLXO.com

Ryshfeti, Taksat e Ambienti i Biznesit - Sfidat e Tregtisë me Shqipërinë

Në një takim të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me temën “Tregtia me Shqipërinë: Sa Komplekse?” u tha se nuk ekziston tregti e mirë mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe se nuk ka lëvizur ndonjë element drejt unifikimit të tregut të përbashkët.

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Amerikane në Kosovë e hapi këtë takim duke thënë se është ide e mirë që të kemi një treg pa kufi në Ballkan, por mundësia më e mirë do të ishte një treg pa kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ilir Ibrahimi, president i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane në Kosovë bëri një vërejtje duke thënë se në shoqërinë kosovare ekonomia nuk zë vend të rëndësishëm. Madje ai tha se deri tani bizneset kosovare janë ndier inferiore kundrejt atyre të Shqipërisë.

“Nëse shohim bilancin tregtar, ai ka shënuar rritje në favor të Shqipërisë. Kosova po e përmbush obligimin e saj nga marrëveshja por Shqipëria nuk po e bën një gjë të tillë. Është momenti i fundit që të ndihemi inferiorë ndaj Shqipërisë, nuk ka patriotizëm në ekonomi”, tha Ibrahimi.

Duke komentuar temën e taksës në “Rrugën e Kombit” për të cilën ditë më parë pati protesta dhe u dogjën pikat e grumbullimit të parave, Ilir Ibrahimi tha se OAK dëshiron të rrijë larg nga kjo luftë politike e cila po zhvillohet në Shqipëri.

“Taksa e rrugës që është bërë temë e nxehtë në Shqipëri, ne dëshirojmë të rrimë larg nga lufta politike në Shqipëri. Një taksë e tillë është e papërballueshme dhe bizneset kosovare do të fillojnë të shohin alternativa. Është momenti i fundit që bizneset të subvencionohen. Roli i shtetit është që ta lehtësojë të bërit biznes e jo të vendosin barriera”, ka theksuar Ibrahimi.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe përfaqësues të bizneseve kosovare që bëjnë tregti në Shqipëri për të rrëfyer sfidat e tyre të të bërit biznes atje.

Besir Çmega, menaxher i përgjithshëm i ‘Railtrans’, tha se problemi kryesor mes Kosovës dhe Shqipërisë është te mentaliteti që sipas tij është i ndryshëm, edhe pse  populli ëhtë i njëjtë.

“Qasja dhe trajtimi është ndryshe në të bërit biznes. Ata e ndiejnë veten superiorë dhe na shohin neve si mundësi. Këtë dallim e kemi parë edhe nga bizneset që zhvillohen atje, probleme që nga nxjerrja e një dokumenti. E njëjta nuk ndodhë kur ata vijnë në Kosovë”, tha Çmega.

Si barrierë tjetër tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë Çmega e konsideron korrupsionin.

“Bakshishi i detyrueshëm në Morinë, jepet 1000 lekë për çdo kamion që kalon. Ky është ryshfet i detyrueshëm në Morinë, pa e dhënë këtë shumë, kamioni nuk kalon. Pastaj është kufizimi i naftës, kamioni duhet të ketë 200 litra, ka pasur aksione që nëse kamioni ka pasur një litër më shumë të gjobitet me 1 euro, pra 1 euro për litër, kjo në Kosovë nuk ndodh”, ka theksuar Çmega.

Ai nuk e la pa e përmendur edhe taksën në “Rrugën e Kombit” për të cilën tha se për shkak se ata bëjnë transport të mallrave me kamionë të mëdhenj, kostoja e transportit bashkë me taksën e rrugës mund të shkojë deri afër 90 euro.

Një përfaqësues tjetër i biznesit kosovar që zhvillon biznesin e tij në Shqipëri është edhe Mërgim Prishtina, drejtor ekzekutiv i ‘Trepharm’.

Ai është shprehur që deri tani kemi parë që ende nuk ekziston tregtia e mirë mes dy shteteve, e lëre më bashkimi i tregjeve.

“Në tregun Kosovë-Shqipëri unë nuk shoh asnjë element që është duke rrjedhur drejt unifikimit të tregjeve. Pas mbledhjes së dy qeverive u tha se u arrit marrëveshje për njohjen e certifikatës fitosanitare, gjë që nuk ndodh as më një nga vendet më të fuqishme siç është Gjermania, sepse këtë certifikatë nuk e ka shpikur Kosova”, tha Prishtina.

Prishtina rrëfeu se kompania e tij ka të regjistruar në Shqipëri 20 produkte dhe vështirë marrin përgjigje për 30 produktet tjera për të cilat kanë aplikuar.

“Një produkt 5 miligram është regjistruar e i njëjti i masës 10 miligram nuk është regjistruar. Kur e kemi analizuar situatën se pse ka ndodhur kjo është parë që nga produkti 5 mil shiten 14 mijë copa në vit kurse ato 10 miligram 400 mijë copa në vit. Aty ku nuk ka biznes të lënë të hysh, e aty ku ka biznes është më e vështirë”, ka theksuar përfaqësuesi i ‘Trepharm’.

Mërgim Prishtina ka treguar se kompania farmaceutike shqiptare në Kosovë ka të regjistruar 160 produkte kundrejt ‘Trepharm’ që ka të regjistruara vetëm 20 produkte në Shqipëri.

“Kompania shqiptare i ka të regjistruar në Kosovë 160 produkte, kurse ne vetëm 20 në Shqipëri. Qeveria jonë duhet të përgatitet mirë, të mos ngutet për pjesën vizuale të mbledhjes së dy qeverive, por për përmbajtje. Të shkohet në mbledhje me kërkesa të sakta me afate të sakta. Tregu shqiptar është me kapacitet shumë të madh dhe për këtë ne po bëjmë presion për atje”, ka përfunduar Prishtina.