Rrahjes së Deputetëve po i Kalon Afati

Ishte viti qershori i vitit 2012 një fjalosje në Kuvendin e Kosovës në mes të deputetëve Visar Ymeri, Rexhep Selimi dhe Florin Krasniqi në njërën anë dhe deputetit të PDK-së Bekim Haxhiu në anën tjetër  u vazhdua me një përplasje jashtë Kuvendit.

Ky i fundit kishte mbetur i lënduar nga ky incident mes të zgjedhurve të popullit që nuk linin rast, në seancë apo jashtë saj, pa u gjuajtur me fjalë mes vete.

Sot, afër katër vjet më pas kjo lëndë rrezikon të përmbyllet  pa pasur një epilog për shkak të parashkrimit absolut, të paraparë sipas Kodit Penal të Kosovës.

Ishte ora 14:30 e 28 qershorit 2012, kur një debat  në Kuvendin e Kosovës, gjatë pauzës eskaloi dhe u shndërrua në konfrontim fizik mes deputetëve.

Sipas aktakuzës, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, Rexhep Selimi, Florin Krasniqi dhe vozitësi  Besart Bujupi filluan fjalosjen me deputetin e PDK-së Bekim Haxhiu dhe me qëllim të shkaktimit të lëndimeve të lehta trupore sulmuan dhe goditën të Haxhiun i cili në këtë rast gjyqësor është në cilësinë e të dëmtuarit.

Deputeti Haxhiu si pasojë e kësaj përfundoi me lëndime të lehta trupore në regjionin e fytyrës, të tilla që nga prokuroria u kualifikuan si lëndime të lehta trupore.

Katër vjet më pas, asnjë seancë lidhur me këtë rast nuk është mbajtur.

KALLXO.com lidhur me këtë rast kontaktoi edhe zyrën për informim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të cilët, thanë se arsyeja e mos mbajtjes së asnjë seance është se nuk janë plotësuar kushtet ligjore.

“Ju njoftojmë se disa herë janë caktuar seancat por nuk është zhvilluar asnjë seancë për shkak se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtje të seancave –çdoherë ka munguar ndonjëri nga të akuzuarit”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Rreziku nga Parashkrimi

Kodi i Penal i Republikës së Kosovës ka paraparë parashkrimin e lëndës.

Kjo nënkupton se pas një periudhe të përcaktuar me ligj, rasti penal nuk mund të ndiqet  apo sanksioni penal nuk mund të ekzekutohet.

Vepra për të cilën akuzohen të akuzuarit e këtij rasti, lëndimi i lehtë trupor, është e përcaktuar sipas nenin 153 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës i cili ishte në fuqi në kohën kur ndodhi ky rast. Ky nen parasheh dënim me gjobë ose me burg deri në 1 vit.

Lidhur me këtë rast, gjithnjë sipas Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, në nenin 90, paragrafi 1, pika 6, parashihet se pas kalimit të afatit dy vjeçar nuk mund të ndiqet penalisht një vepër për të cilën dënimi i paraparë është deri në 1 vit.

Pra, në këtë rast ky mundësia e parashkrimit është evituar pasi që në vitin 2012 prokuroria kishte ngritur aktakuzë.Tani ekziston mundësia të vie në përdorim neni 91, pika 6 e të cilit përcakton se “Ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit (ndalesa absolute mbi ndjekjen penale).”

Në rastin konkret afati absolut i parashkrimit do të kalojë në 28 qershor të këtij viti.

Lidhur me mundësinë e parashkrimit që i kanoset kësaj lënde, Gjykata nuk pranoi të flasë.

“Sa i përket parashkrimit të lëndëve, Gjykata nuk jep informacion për palë nëpërmjet mediave”, tha Gjykata Themelore në Prishtinë.

Nuk Ka Urdhër Arrest

Përkundër asaj se afati i parashkrimit absolut të kësaj lënde është shumë afër përmbushjes, zyra për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë për KALLXO.com e konfirmoi se nuk është lëshuar asnjë urdhër arrest për ndonjërin nga personat e akuzuar në këtë rast.

Kodi i Procedurës Penale të Kosovës përcakton se kur të akuzuarit nuk i përgjigjen ftesës për t’u paraqitur në gjykatë, ndaj tyre mund të nxirret urdhër arrest dhe ata të sillen me forcë.

Nga Gjykata, KALLXO.com  nuk mori përgjigje se kush është paraqitur gjatë seancave të kaluar e kush jo, por u tha se “gjithmonë ka munguar ndonjëri nga të akuzuarit”.

Ngjashëm ndodhi edhe në seancën e sotme e cila ishte paraparë të mbahej por nuk arriti mbahej pasi që nuk u përmbushën kushtet ligjore për shkak të mungesës së të akuzuarve.

Lidhur me mungesën në seancën e caktuar të mbahej sot, KALLXO.com kërkoi përgjigje nga tani kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri dhe deputeti nga radhës e kësaj partie Rexhep Selimi, nuk mori përgjigje gjatë ditës.

Gjithashtu, lidhur me mungesën në seancë, KALLXO.com kontaktoi edhe me avokatin e të akuzuarit Florin Krasniqi, Ndrec Doda, i cili për KALLXO.com tha se klienti i tij ka munguar për arsye shëndetësore dhe për këtë ka qenë e njoftuar edhe gjykata.

“Lidhur me seancën e sotme unë e kam njoftuar gjyqtarin  para një jave se Florini nuk do të paraqitet për arsye të disa problemeve shëndetësore dhe unë për këtë  e kam edhe dokumentacionin mjekësor”, tha Doda për KALLXO.com

Doda tha se i mbrojturi i tij nuk ka asnjë qëllim që t’i shmanget drejtësisë, duke thënë se ai disa herë ka qenë në Kosovë por se në kohën kur ai ka qenë nuk ka pasur seanca të caktuara.