Aleanca Kosovare e Bizneseve

Refuzimi i Vizave Godet Ekonominë, Stimulon Emigrimin Ilegal

Sipas kreut të Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, kosovarët edhe vitin e ardhshëm do të detyrohen të shpenzojnë edhe 30 milionë euro për viza sigurime dhe pagesa tjera në pamundësi për të udhëtuar pa viza.

Shahini tha që pas refuzimit të liberalizimit të vizave për Kosovën do të rritet ambicia e qytetarëve të Kosovës për ta lëshuar Kosovën ilegalisht.

“Bizneset dhe qytetarët do të detyrohen të marrin dyshtetësi edhe më tutje nga Serbia, Shqipëria, Maqedonia, Mali Zi dhe vendet tjera. Nga ky fluks i ikjes për të marrë shtetësi tjetër do të varfërohet edhe më tutje fuqia konsumuese dhe buxheti i Kosovës”, tha i pari i AKB-së.

Sipas AKB-së, me veprimet e veta BE-ja po e ndihmon edhe më tutje destabilizmin politik dhe ekonomik në Kosovë, dhe po e dekurajon Kosovën për dialogun me Serbinë në Bruksel.

Gjithashtu AKB i kërkoi BE-së që sa më shpejt ta ratifikojë Marrëveshjen për Stabilizim- Asocim me Kosovën dhe të veprojë sipas standardeve që ka aplikuar në vendet tjera të Ballkanit që pas 6 muajve të lëvizin lirshëm pa viza sepse “këtë të drejtë e gëzojnë më shumë se 500 mijë qytetarë të BE-së por jo edhe 1.800.000 kosovarë”.