Rastet e shënjestruara, të akuzuarit që u liruan nga akuzat - Foto: KALLXO.com
Rastet e shënjëstruara, deri më tani 5 aktgjykime liruese
Në muajin mars, BIRN dhe Internews Kosova publikuan një raport me gjetjet nga monitorimi i rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave.
Që nga publikimi i këtij raporti, në Gjykatën Themelore në Prishtinë deri më tani kanë përfunduar 7 nga 39 raste të shënjëstruara.
Në mesin e këtyre rasteve për të cilat është shpallur aktgjykimi, pesë prej tyre kanë përfunduar me aktgjykim lirues.
Rasti më i fundit është ai i ish-sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, dhe zyrtarëve tjerë – të gjithë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me projektin e asgjësimit të barërave me afat të skaduar.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin me anë të të cilit Ilir Tolaj, Zenel Kuqi, Bekim Fusha, Valentina Haxhijaj, Florije Tahiri e Remzije Thaçi janë shpallur të pafajshëm në lidhje me veprat penale të cilat u viheshin në barrë.
Në aktgjykimin e lexuar nga kryetarja e trupit gjykues, Valbona Selimaj u tha se me asnjë provë nuk është arritur të vërtetohen pretendimet e Prokurorisë Speciale se të akuzuarit kanë kryer veprat penale të cilat u viheshin në barrë.
https://kallxo.com/gjykata-vendosi-per-ilir-tolajn/
I lirë është lënë edhe ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj.
Mekaj akuzohej për keqpërdorim të detyrës në lidhje me një rast ku sipas prokurorisë Mekaj do të angazhohej në caktimin e shqyrtimit gjyqësor në dy raste dhe ricilësimin juridik të veprave penale.
Në këtë rast të pafajshëm janë shpallur edhe tre të akuzuarit Vlora Gorani si dhe Mentor e Ali Seferaj.
Pothuajse i gjithë ky gjykim është zhvilluar prapa dyerve të mbyllura për shkak se mbrojtja kishte kërkuar mbylljen e seancës për publikun pasi që sipas tyre mund të cenohej privatësia e palëve në procedurë.
https://kallxo.com/gjykata-vendosi-per-salih-mekajn/
Aktgjykim lirues është marrë edhe ndaj Ish- drejtorit të Prokurimit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Xhemajl Buzukut si dhe drejtorit të “Alb Architect” Afrim Demirit.
Buzuku e Demiri akuzoheshin lidhur me akuzat për një kontratë 24 muajshe me mundësi vazhdimi edhe për 12 muaj me kompaninë “Alb-Architect”.
Me rastin e shpalljes së aktgjykimit kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, kishte thënë se lirimi ndodhi në mungesë të provave, ngase, sipas tij, nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale që u vihej në barrë.
https://kallxo.com/gjykata-shpall-aktgjykimin-per-ish-drejtorin-ne-masht/
Edhe Ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha është liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Hoxha përfundimisht është liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga Gjykata e Apelit.
Sipas këtij aktgjykimi, Hysni Hoxha dhe Hysni Muhadri ishin liruar nga akuza për veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar në bashkëkryerje nga neni 422, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa Arsim Robelli për veprën – falsifikimi i dokumenteve në bashkëkryerje.
Gjykata e Apelit e Kosovës e ka liruar nga akuza e mashtrimit në detyrë edhe ish-rektorin e Universitetit të Prishtinës, Enver Hasanin.
https://kallxo.com/gjykata-e-apelit-e-liron-enver-hasanin/
Hasani ishte gjetur fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës, dhe ishte dënuar me 1 vit burg me kusht.
Në tetor të vitit të kaluar, Enver Hasani ishte gjetur fajtor dhe dënuar me 1 vit burg me kusht për periudhën e verifikimit dy vjet, ndërsa mbrojtja e të akuzuarve kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.
Po ashtu fajtorë ishin shpallur edhe dy të akuzuarit tjerë, Albert Rakipi dhe Hakif Veliu.
Prokuroria pretendonte se të akuzuarit këtë vepër e kishin kryer lidhur me realizimin e kontratës për përkthimin e librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe për nevojat e UP-së.
Në muajin mars BIRN dhe Internews Kosova kanë organizuar një konferencë në të cilën është prezantuar raporti me gjetjet nga monitorimi i rasteve gjyqësore të shënjestruara për liberalizimin e vizave.
Në këtë konferencë ishte diskutuar për këto raste dhe procesin në të cilin janë secila nga to.
Në lidhje me rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave është thënë që duhet të bëhet punë më e madhe.
‘Liberalizimi i Korruptuar’, Rastet Gjyqësore Nga të Cilat Varet Liberalizimi
Disa nga rekomandimet e BIRN dhe IKS në lidhje me rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave janë: Të rritet komunikimi ndërmjet KPK-së dhe KGJK-së përmes takimeve të përbashkëta, me qëllim të koordinimit dhe harmonizimit të të dhënave; secili gjyqtar që ka lëndë të shënjestruara të mbështetet nga bashkëpunëtorë profesionalë për t’i ndihmuar në trajtimin e këtyre lëndëve; prokurorët që kanë raste të shënjestruara të mbështeten me bashkëpunëtorë profesionalë; prokurorëve të lëndëve të shënjestruara t’u bëhet e mundur që të mos e humbasin asnjë seancë duke i zëvendësuar ata në përfaqësim në lëndët tjera dhe të shkarkohen nga lëndët e tjera; të refuzohen kërkesat për transferim apo avancim të gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë lëndë të shënjestruara në punë.