Foto: Kallxo.com

Raporti: Qytetarët nuk u besojnë institucioneve të sundimit të ligjit

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka organizuar panelin e diskutimit me temën “Performanca e sistemit gjyqësor dhe prokurorial sipas këndvështrimit dhe vlerësimit të qytetarëve”.

Grupi për studime juridike kanë prezantuar të gjeturat e raportit të performancës së institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë.

Qëllimi kryesor i këtij raporti është matja dhe vlerësimi i perceptimit të qytetarëve mbi punën e institucioneve bartëse të sundimit të ligjit, përkatësisht gjykatave, prokurorive, policisë dhe misionit të ligjit- EULEX.

Ky raport ka bërë matjen e anketave që i takojnë periudhës së qershorit 2018.

Autori i raportit, Përparim Kryeziu tha institucionet e sundimit të ligjit janë të prekura politikisht nga persona në politikë dhe jashtë saj por me ndikim të madh në politikë, ku sipas raportit gjykatat janë më të politizuarat.

“Indikacioni i ndikimit politik në sistemin gjyqësor ende mbetet i lartë, rezultatet e anketave kanë treguar se 70.7 për qind të të anketuarve besojnë se personat me ndikim politik kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji. Institucionet që mbajnë primatin në këtë shifër si më të prekurat politikisht janë gjykatat me, të ndjekura nga prokuroria, policia dhe EULEX, edhe pse ka përmirësim nga viti i kaluar për 6 për qind këto shifra ende mbeten shqetësuese”, tha Kryeziu.

Agim Maliqi, gjyqtar në gjykatën supreme tha se janë duke matur performancën e gjyqtarëve dhe do të shohin nëse duhet t’i dërgojnë nëpër trajnime ose duhet t’i largojnë nga gjykata.

“Raportet ndërmjet vete janë kundërthënëse, nëse qytetarët nuk janë të kënaqur me veprimet e gjykatës atëherë duhet të ndërrojmë ose përmirësojmë gjyqësorin. Po ashtu kemi edhe diçka jo të kënaqshme, ndikimin e politikës, e që është keq për shkak se mund të ngritë dyshime në zgjidhjen e lëndëve, është i çuditshëm opinioni i qytetarëve për efektivitetin në luftimin e korrupsionit, ne jemi në fazën e matjes së performancës edhe nëse shohim se një gjyqtar nuk ka performancë të mirë vazhdimisht ose do ta dërgojmë në trajnim ose do ta largojmë, gjykata supreme për shkak të numrit të vogël të lëndëve prin me efikasitet”, deklaroi Maliqi.

Në këtë tryezë diskutimi kishte edhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Genc Nimoni nga organizata Çohu tha se ndikimin politik në sistemin gjyqësor e tregon edhe rasti i fundit që ndodhi me familjarët e shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Shpend Maxhuni.

“Raporti është pasqyrë e gjendjes në të cilën jemi, e kemi rastin e fundit me djalin e shefit të AKI dhe ka pasur kontradikta ndërmjet policisë dhe gjykatës dhe ndikon shumë në përceptimin dhe besimin e qytetarëve nga gjykatat”, u shpreh Nimoni.

Tutje në raport thuhet se mitmarrja sipas të anketuarve mbetet fenomen shqetësues në këto institucione , nga të anketuarit 55.1 për qind mendojnë se zyrtarët/punëtorët e institucioneve të drejtësisë kërkojnë ose pranon mito për kryerjen e shërbimeve.

E dy institucionet, të cilat marrin ose pranojnë mito nga qytetarët janë gjykatat dhe prokuroria e Kosovës.

Agjencioni Kundër Korrupsionit dhe mediet janë dy institucionet që kanë më shumë efektivitet në luftën kundër korrupsionit.

Nga raporti del se qytetarët nuk i konsiderojnë gjykatat, prokurorinë dhe EULEX-in si institucione të luftës kundër korrupsionit.