Arkiv

Gjykata anulon vendimet dhe licencat e Ministrisë së Ambientit dhe të ZRRE-së për hidrocentralet në Deçan

Gjykata e Prishtinës ka shpallur të bazuar propozimin e paditësve\propozuesve Faton Selmanaj, Muharrem Lulaj dhe Xhavit Kuçi, të cilët kanë paditur Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për vendimet dhe licencat që ia lejonin kompanisë “KelKos” të operonte me hidrocentralet në Lumbardhin e Deçanit: HC Belaja, HC Lumbardhi 2 dhe HC Deçani.

Në aktgjykimin e datës 22 maj 2023, gjykatësi i vetëm gjykues, Kreshnik Kaçiu, gjeti se padia dhe kërkesëpadia e paditësve është tërësisht e bazuar, prandaj ka anuluar vendimet dhe licencat.

Po ashtu, Gjykata vlerësoi se legjitimiteti i plotë aktiv i paditësve është në përputhje të plotë me kërkesat që rrjedhin nga Ligji për konfliktet administrative dhe nga Ligji për mbrojtjen e mjedisit.

Gjykata po ashtu gjeti se në aktet administrative të kundërshtuara në këtë konflikt administrativ nuk janë dhënë arsye të mjaftueshme mbi bazën e të cilave janë nxjerrë aktet e kontestuara me padi. Në këtë drejtim, të njëjtat nuk janë arsyetuar mbi bazën e kërkesave konkrete që dalin nga Ligji për procedurën e përgjithshme administrative.

Arsyetimet e këtyre akteve administrative nuk janë formuluar qartë dhe të njëjtat nuk përfshijnë bazën ligjore dhe faktike të aktit dhe se arsyetimi është kontradiktor në raport me dispozitivin e vendimeve dhe licencave.

Sipas aktgjykimit, Gjykata gjeti se e paditura e parë, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, kur ka marrë vendimet kontestuese për leje ujore për HC Deçani, lejes ujore për HC Lumbardhi II, L.U. gabimisht ka zbatuar të drejtën materiale, duke zbatuar Ligjin për ujërat e Kosovës dhe duke i lëshuar palës së interesit “KelKos Energy” Sh.p.k. në mënyrë të paligjshme lejet ujore për prodhimin e energjisë elektrike. Po ashtu, sipas aktgjykimit, edhe lejet mjedisore janë dhënë në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e mjedisit.

Gjykata gjeti se edhe vendimet e të paditurës së dytë, Zyrës së Rregullatorit për Energji, janë marrë me aplikim jo të drejtë të dispozitave ligjore, duke përmbushur kështu të gjitha elementet e nevojshme për t’u kundërshtuar dhe rrjedhimisht për t’u anuluar.

Në aktgjykim thuhet se të gjitha vendimet e ZRRE-së për licencë mbështeten në lejet ujore dhe mjedisore që janë akte të paligjshme.

Në këtë drejtim, Gjykata gjeti se lëshimi i licencave nga ana e Zyrës së Rregullatorit për Energji për dyzet vjet, duke u bazuar në Ligjin për rregullatorin e energjisë, është interpretim i gabuar ashtu siç është interpretim i përgjithësuar dhe i gabuar i të paditurit të dytë edhe konstatimi se “ZRRE ka lëshuar licensa të prodhimit për periudhën 40 vjeçare, sepse Licensa është e drejtë për ushtrim të aktiviteteve, në pajtim me kushtet ligjore dhe legjislacionit në fuqi”.

Në lidhje me këtë Gjykata gjeti se ZRRE gabimisht ka interpretuar dhe zbatuar Ligjin për rregullatorin e energjisë për faktin që kjo dispozitë ligjore përcakton vetëm kufirin maksimal të dhënies së lejes në rastet e prodhimit të energjisë elektrike e që afatin maksimal i dhënies së licencës nuk mund të kalojë 40 vite.

Andaj, ZRRE ka dështuar të ndërlidhë afatin për dhënien e licencës për operim me afatin e vlefshmërisë së lejes mjedisore, duke qenë se leja mjedisore ishte parakusht formal për dhënien e licencave nga ZRRE.

Faton Selmanaj, Muharrem Lulaj dhe Xhavit Kuçi me përfaqësuesen Valtida Shukriu kishin bërë padi kundër Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Palë në këtë procedurë ishin edhe GLPS dhe organizata “Pishtarët”, të përfaqësuara nga avokatja Shukriu si palë ndërhyrëse si dhe “KelKos” si palë e interesit me përfaqësues Granit Vokshin.

Tutje gjyqtari i vetëm gjykues, Kreshnik Kaçiu, ka administruar provat materiale në këtë rast.

Në seancën e fundit, të mbajtur më 11 maj, lidhur me këtë çështje, përfaqësuesja Shukriu ndër të tjera kishte deklaruar se në bazë të një raporti të inspektimit në terren nga Ministria e Planifikimit Hapësinor ishte konstatuar se është humbur një burim i ujit të pijshëm për qytetarët e Deçanit si e drejtë themelore e njeriut dhe rrjedhimisht ishte vepruar në kundërshtim me Ligjin për ujërat e Kosovës si dhe ishte shkelur Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut.

Në lidhje me këtë, avokati Vokshi në deklaratën e tij kishte deklaruar se ky pretendim është i bazuar në një raport të para nëntë viteve dhe se paditësit nuk kanë legjitimitet të flasin në emër të banorëve të Deçanit.

Tutje, Shukriu kishte shtuar se në procedurën e lëshimit të lejeve ujore është pamundësuar pjesëmarrja e publikut, kështu duke u vepruar në kundërshtim me Ligjin për ujëra dhe udhëzimin administrativ për procedurat e lejeve ujore.

Këtë e kishte kundërshtuar pala e paditur – ZRRE me përfaqësuesin ligjor Ymridin Misini, i cili kishte deklaruar se ky pretendim nuk qëndron fare dhe se kjo është dëshmuar edhe përmes shkresave përkatëse të lëndës.

Kurse në deklaratën e tij, përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit e kishte kundërshtuar në tërësi padinë dhe kërkesëpadinë e paditësve, duke deklaruar se vendimi mbi dhënien e lejes ujore është bërë në pajtim me Ligjin për mbrojtjen e mjedisit dhe ligjeve të tjera përkatëse.

Gjyqtari i vetëm gjykues, Kreshnik Kaçiu, kishte administruar provat materiale. Ndër provat materiale të administruara në këtë rast ka qenë edhe publikimi i KALLXO.com, i cili ka shtjelluar largimin e drejtorit të Autoritetit të lumenjve, i datës 25 maj 2021. Provë kjo e propozuar nga avokatja Shukriu.

Në mesin e provave u administruan edhe dy prej aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese si dhe një peticion kundër hidrocentraleve të Lumbardhit të Deçanit.

Me këtë padi, paditësit kishin kërkuar që të shtyhet ekzekutimi i akteve të të paditurës – Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, dhe atë vendimi për leje ujore për hidrocentralin Belaja, vendimin për leje ujore të hidrocentralit Deçani, vendimi për leje mjedisore i hidrocentralit HC Belaja dhe vendimi për lejen mjedisore të hidrocentralit Deçani.

Gjithashtu me këtë padi të njëjtit kishin kërkuar që të shtyhet ekzekutimi i akteve të të paditurës ZRRE siç janë; Licenca për prodhim të energjisë elektrike për HC Deçani dhe licenca për prodhimin e energjisë elektrike HC Belaja.

Tutje në padi të njëjtit kanë kërkuar anulimin e tetë akteve të ndërlidhura të Ministrisë dhe Rregullatorit. Pasi që sipas paditësve, këto vendime i mundësojnë një kompanie private që të prodhojë energji në tri hidrocentrale.

E kështu, sipas tyre, duke dëmtuar rëndë lumin e duke lënë banorët e trevës pa ujë për pije dhe ujitje.

Raportimet e tjera lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë link.

Aktgjykimin e plotë mund ta gjeni KËTU.