GLPS mbajti diskutimin me temën “Raportimi dhe trajtimi i rasteve të dhunës në familje: Janar – Gusht 2022”. FOTO: KALLXO.com

GLSP: janar-gusht 2022 janë raportuar 1852 raste të dhunës në familje

Gjetjet nga një raport i bërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) tregojnë se në periudhën janar-gusht 2022, në nivel vendi, në Policinë e Kosovës janë raportuar 1852 raste të dhunës në familje.

Kjo gjë u bë e ditur gjatë ditës së sotme teksa Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) mbajti diskutimin me temën “Raportimi dhe trajtimi i rasteve të dhunës në familje: Janar – Gusht 2022”.

GLPS mbajti diskutimin me temën “Raportimi dhe trajtimi i rasteve të dhunës në familje: Janar – Gusht 2022”. FOTO: KALLXO.com

Njomza Arifi, Menaxhere e Programeve në GLPS bëri të ditur se ky raport është i hartuar pas monitorimit drejtpërdrejtë në gjykata dhe institucionet relevante.

Gjatë këtij prezantimi u tha se numri më i madh i rasteve të dhunës në familje të raportuara në Policinë e Kosovës gjatë kësaj periudhe është në rajonin e Prishtinës i cili figuron me 581 raste.

“Sa i përket personave të dyshuar dhe të arrestuar për dhunë në familje, pjesa më e madhe e tyre janë të gjinisë mashkullore dhe të moshës madhore. Ndërsa, sa i përket viktimave të dhunës në familje pjesa më e madhe e tyre janë të gjinisë femërore” – theksoi prezantuesi i analizave nga GLPS, Liridon Salihi, i cili tutje shpjegoi se në shumicën e rasteve të akuzuarit i përkasin gjendjes së dobët ekonomike.

Nga përfundimet e nxjerra nga ky raport u tha se nga analizimi i 43 aktgjykimeve të publikuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë (së bashku me degët), në periudhën janar – gusht 2022, shihet se vetëm në 5 raste kjo gjykatë ka shqiptuar dënim efektiv me burgim, ndërsa shumica e aktgjykimeve përbëhen nga dënimet me kusht.

Po ashtu u potencua se në lidhje me këto raste në 70% të tyre nuk është respektuar afati ligjor për caktimin dhe mbajtjen e shqyrtimit fillestar nga momenti i ngritjes së aktakuzës.

“Gjithashtu, shohim se ka pasur raste kur kjo gjykatë, nga ngritja e aktakuzës e deri te vendimi për rastet e dhunës në familje, ka marrë plot 2 vjet, 7 muaj e 15 ditë, ose 958 ditë, ndërsa në disa raste. kësaj gjykate iu desh vetëm një ditë për ta gjykuar atë” – u tha gjatë prezantimit.

Gjatë kësaj tryeze zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu u shpreh se këto gjetje i konsideron shqetësuese. “Edhe më shqetësuese e konsideroj se është fakti që nga 1725 persona të dyshuar për shkaktim të dhunës në familje vetëm 682 persona janë arrestuar. Kjo ndër të tjera është dekurajuese edhe për raportimin e rasteve tjera sepse mungesa e garancisë së veprimit këmbëngulës dhe strikt institucional lë mundësi për përsëritje të veprës, kërcënim të viktimës dhe aspekte tjera të dëmshme që mund të prodhohen” – u shpreh Sallahu.

Në anën tjetër, Dren Rogova, nënkryetar i Gjykatës së Prishtinës tregoi veprimet e ndërmarra nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe nga Gjykata Supreme për trajtimin e dhunës në familje.

“Në këtë drejtim këshilli gjyqësor ka ndërmarrë një sërë veprimesh duke adaptuar strategjinë për zgjidhjen efikase të lëndëve ku çështjet e dhunës në familje janë paraparë si çështje me prioritet. Po ashtu Gjykata Supreme ka nxjerrë një udhëzues për trajtimin e veprave penale që kanë të bëjnë me dhunën në familje”- shpjegoi Rogova.

E pranishme në këtë ngjarje ishte edhe Reyes Charle Ceullar, Këshilltare për çështje gjinore nga zyra e BE-së.

Gjatë diskutimit ajo tha se dhuna në familje dhe ndaj grave është e përhapur jo vetëm në Kosovë por edhe gjithkund tjetër.

“Rastet janë të përditshme por rrallë dalin në ballinat e gazetave dhe të lajmeve prandaj edhe një raport i fokusuar i tillë është i rëndësishëm jo vetëm për atë çfarë është analizuar por edhe për ngritjen e vetëdijes për këtë fenomen” – tha Ceullar teksa si problem përmendi edhe frikën e raportimit të dhunës në familje dhe stigmatizimit në shoqëri