Qeveria Kurti II

GLPS kërkon reformatim të qeverisë në dy vjetorin e qeverisjes

“Viti i dytë i qeverisjes, qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti e ka karakterizuar me fenomenin e ushtruesve të detyrës duke tejkaluar në të shumtën e rasteve edhe afatet ligjore”.

Kështu u tha në konferencën e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) për 2-vjetorin e Qeverisë Kurti.

Arbëresha Loxha-Stublla, drejtore ekzekutive e GLPS-së, tha që Qeveria Kurti 2 është dashur të formatohet për shkak të performancës jo të kënaqshme.

“Vlen të përmendet, që ky vit e ka gjetë qeverinë me vetëm 4 sekretarë të përgjithshëm me mandat zyrtar, kurse të tjerat pozita kanë qenë të gjitha me ushtrues detyre. Përtej pozitave të larta, që nga viti 2019 nuk kemi asnjë rekrutim të jashtëm për nivelin profesional për administratën shtetërore. Madje, ka raste kur edhe pse procedurat e rekrutimit kanë përfunduar, qeveria ka dështuar në emërimin e tyre dhe shembulli konkret në këtë rast është pozita e Sekretarit të Përgjithshëm në Zyrës së Kryeministrit të Kosovës”- tha ajo.

Sipas saj, do të jetë një analizë që do të publikohet në ditët në vazhdim në lidhje me këtë çështje.

“Ngjashëm, nga analiza e GLPS-së del se për shkak të performancës jo të kënaqshme, ashtu siç edhe ishte paralajmëruar nga kryeministri Kurti, do të duhej të bëhej një reformatim gjë që nuk ka ndodhur. Se ka nevojë për riformatim, tanimë kjo është e padiskutueshme” theksoi ajo.

Ajo po ashtu përmendi edhe mungesën e transparencës dhe llogaridhënies.

Konferenca për media e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Foto: KALLXO.com

“Për gjatë këtij viti edhe me këtë qeveri, e kemi pasur praktikën e mospublikimit të raporteve të punës, e cila përcjellët me mostransparencë dhe mungesë të llogaridhënies” tha ajo.

GLPS e ka vlerësuar se pozitive aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian.

“Në politikën e jashtme Kosovës i është dashur të përshtatet me realitetin gjeopolitik, ne e vlerësojmë pozitivisht aplikimin e Kosovës në KE dhe BE. Ndonëse janë bërë disa përpjekje, njohjet nuk kanë ndodhur, konsiderojmë se duhet të ketë përpjekje me intensive. Për ne nuk është mirë që Martin Berishaj ka vazhduar pozitën e ambasadorit, për ne dorëheqja do të ishte e mirëseardhur”- tha ajo.

Njomza Arifi, menaxhere e programeve përmendi Ligjin për pagat dhe atë për zyrtarët publik, për të cilët pati kritika.

“Në administratë publike një nga nismat më të rëndësishme kanë qenë ligji për zyrtar publik dhe ligji u pagave, këto ligje më pastaj janë karakterizuar me probleme thelbësore, nuk janë marrë parasysh komentet dhe propozime te SIGMA/ OECD, BE-së dhe shoqërisë civile” – tha ajo.

Sipas saj, qeveria ka bërë përparim në forcimin e mekanizmave për të adresuar objektivat e agjendës evropiane.

“Procesi i Integrimit Evropian mbetet ende i limituar brenda mekanizmave të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe Agjendës Evropiane per Reforma – ERA II. Nga monitorimi ynë i rregullt, por edhe nga raportet kredibile ndërkombëtare, është vlerësuar se Qeveria në një masë të caktuar ka arritur të forcojë kapacitetin e saj për të koordinuar zbatimin e zotimeve dhe obligimeve që dalin nga MSA dhe ka përmirësuar mekanizmat e raportimit”- tha ajo.

Sipas GLPS, qeverisë i duhet të forcojë më shumë raportet me opozitën për çështjet e dialogut me Serbinë.

“Megjithatë, GLPS konsideron se qeveria po vazhdon të sigurojë një konsensus politik me partitë opozitare, gjë që është përgjegjësi e kësaj qeverie duke konsideruar rëndësinë e këtij procesi. Pra kemi një mungese dialogu të mirëfilltë dhe të rregullt me partitë opozitare sa i përket këtij procesi”- tha ajo.

Edhe dakordimin në Ohër, Arifi tha se GLPS e vlerëson si të pamjaftueshëm.

“Në princip u arrit edhe një dakordim mes palëve në Ohër për zbatimin e Planit franko-gjerman. GLPS konsideron që në parim nuk është plan i keq por është i pamjaftueshëm në kuptimin që nuk garanton njohje de-jure ndonëse në bazë asaj që kemi parë garanton të paktën një lloj njohje de facto sepse përfshin njohjen e simboleve, integritetin territorial, njohjen e diplomave, vulave, targave dhe parasheh hapjen e misioneve apo zyreve ndërlidhëse”- theksoi ajo.

Qeveria Kurti 2 ka mbushur dy vite më 22 mars.