Kuvendi Komunal i Prishtinës | Foto:KALLXO.com

Raporti për Buxhetin Kalon me Vështirësi e Vërejtje

Pikat për raportin përfundimtar buxhetor për vitin 2015 dhe propozim-vendimi për bartjen e buxhetit të pashpenzuar nga viti 2015 në vitin 2016 hapën debat në mbledhjen e katërt të rregullt të kuvendit komunal.

Sami Hamiti, kryesues i asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Asamblenë e Prishtinës, kritikoi raportin buxhetor i cili sipas tij  është shkruar dobët si në fjalorin ekonomik ashtu edhe në atë  financiar.

“Vërejtje për këtë raport kam dhënë edhe në mbledhjen e Komisionit për Politikë dhe Financa, sepse ka shumë mangësi dhe paqartësi. Gjithashtu ky raport nuk është në përputhje me pikat e buxhetit,” tha Hamiti.

Shefi i grupit të këshilltarëve komunalë të Partisë Demokratike të Kosovës Lirak Çelaj, tha se mjetet që kanë qenë të ndara është dashur të investohen dhe jo të kursehen.

“Mjetet e caktuara  është dashur të vendosen në vendet e duhura dhe koha e humbur e shpenzimit të këtyre mjeteve nuk është në të mirë të qytetarëve,” tha Çelaj.

Ai theksoi se për arsye që raporti buxhetor nuk ka pasur performancë pozitive, ky grup nuk do ta votojë atë.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti tha se kritikat i shërbejnë këtij raporti.

“Ne i pranojmë të gjitha kritikat dhe këshillat nga cilido grup i asamblistëve dhe gabimet në raport do të evitohen,” tha Ahmeti.

Pika për raportin përfundimtar buxhetor për vitin 2015 u aprovua me 18 vota pro, 16 kundër dhe  2 abstenime.

Ndërkaq propozim-vendimit për bartjen e buxhetit të pashpenzuar nga viti 2015 në vitin 2016, iu shtua edhe propozim-vendimi që 85 mijë euro t’i barten kompanisë “Marketing Sport” që merret me menaxhimin e pishinës së Gërmisë, kërkesë kjo e cila u bë nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Gjithashtu u miratuan edhe ekstraktet e procesverbaleve të mbledhjes se dytë dhe mbledhjes së jashtëzakonshme të kuvendit të komunës, ndërsa shqyrtimi i planit vjetor të punës së kuvendit, u zëvendësua me raportin tremujor buxhetor janar-mars 2016.

Ky raport do të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme.