Raporti: BE duhet të refuzojë ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë

Raporti i fundit nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet (ESI), i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të kundërshtojë çdo bisedim për ndryshimet kufitare si pjesë e një marrëveshje për të normalizuar marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës.

Iniciativa Evropiane për Stabilitet, një institut që fokusohet në Evropën Juglindore dhe në zgjerimin e BE-së, tha në raportin e saj të fundit se Brukseli duhet të hedh poshtë idenë që është shpalosur si “korrigjim kufitar” mes Serbisë dhe Kosovës, dhe të ushtrojë presion mbi Beogradin për të ndaluar retorikën e saj “luftuese”.

Raporti i ESI-së që u publikua të enjten, thotë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka pasur sukses të habitshëm në ri-paketimin e “idesë nacionaliste të rimarrjes së kufijve në bazë të përkatësisë etnike” si një mendim progresiv dhe jo-konvencional.

Ideja e “korrigjimeve kufitare” u propozua nga Vuçiq në vitin 2018 dhe u përkrahë nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili sugjeroi që komunat jugore serbe me një popullsi të madhe etnike shqiptare duhet të bëhen pjesë e Kosovës.

“Bashkimi Evropian duhet menjëherë të mbyllë kutinë e Pandorës, për bisedime të mëtejshme mbi rishkrimin e kufijve të Ballkanit”, thuhet në raportin e ESI.

Më tej, theksohet se zyrtarët serbë po flasin për një kërcënim të supozuar nga krijimi i një “Shqipërie të Madhe”, ndërsa ministri i Jashtëm Ivica Daçiq, përmendi idenë e një ndërhyrjeje ushtarake në veri të Kosovës ku është e populluar me serbë.

“BE duhet të paralajmërojë Aleksandër Vuciqin se deklaratat për përleshje luftarake nga ana e ministrave të qeverisë serbe duhet të ndalen. Kërcënimet për të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovën e Veriut janë të papranueshme.”, thuhet më tej nga ESI.

Gjermania, Franca dhe anëtarët e tjerë të BE-së duhet gjithashtu ta bëjnë të qartë, se janë të gatshëm të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë në Ballkan, nëse në çdo moment presidenti i SHBA-ve Donald Trump vendos të tërheqë të gjitha trupat amerikane, theksohet në raport.

Në të njëjtën kohë, ESI i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i ofrojë Serbisë, Kosovës dhe të gjitha vendeve të tjera të Ballkanit “perspektivën e një progresi të vërtetë dhe të prekshëm” drejt anëtarësimit.

“Duke qenë se anëtarësimi i plotë, mbetet i pamundur për çdo vend para vitit 2025, një objektiv konkret, ambicioz dhe kuptimplotë mund të vendoset për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor: të përmbushin standardet e kërkuara për t’u bërë anëtarë të plotë të tregut të përbashkët të BE-së deri në vitin 2025”.

Vendet e Ballkanit duhet të përfshihen gradualisht në politikat rajonale dhe të kohezionit të BE-së, si dhe Brukseli duhet gjithashtu të mbështesë rajonin që të shkojë drejt një zone të Shengenit, të Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2030, me synimin konkret që deri atëherë të gjithë kufijtë e Ballkanit të bëhen “të padukshëm”.

“Kjo dhe të drejtat e pakicave, në vend që të ndryshojnë kufijtë për të hequr qafe minoritetet, duhet të transformojnë kufijtë në rajon”, thuhet në raport.

Në mënyrë që të mbesin të besueshme në Prishtinë, vendet evropiane duhet të heqin kërkesën për viza për qytetarët e Kosovës, siç është rekomanduar nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian. Dhe të mbështesin Kosovën në anëtarësimin në Këshillin e Evropës, me mbrojtjen e pakicave në vend si një kërkesë kyçe e monitorimit pas pranimit.

“BE gjithashtu duhet të dërgojë një sinjal të fortë për vendet dhe udhëheqësit, që të arrijë tek fqinjët dhe minoritetet e tyre dhe të zgjidhë çështjet e vështira në frymën e pajtimit. Sinjali më i fortë do të ishte të fillonin bisedimet e pranimit, me Maqedoninë e Veriut pa vonesë në verën e vitit 2019.”, thuhet në raport.