Vjosa Osmani - Foto Jetmir Hoxha/Kallxo.com
Osmani: Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar njëherë e përgjithmonë
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar njëherë e përgjithmonë.
Në adresimin vjetor në Kuvendin e Kosovës Osmani ka thënë se Kosova për herë të parë ka politikë të jashtme për t’i shërbyer vendit dhe jo individëve.
“Por po ju tregoj çfarë nuk ka Kosova tani. Nuk ka lobim për ndryshim kufijsh, nuk ka pagesa lobistësh për të shtyrë përpara agjenda puro individuale, nuk ka intervista të paguara për të promovuar liderë të caktuar, nuk ka flirtime me Serbinë dhe Rusinë me qëllim të interesave individuale, nuk ka udhëheqës që e krahasojnë Kosovën me Nagorno-Karabkhun me Athazi e Krimenë” – tha ajo.
“Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar njëherë e përgjithmonë. Sfidat natyrisht që janë të panumërta në politikën e jashtme, sepse gabimet kanë qenë të mëdha në të kaluarën” – shtoi ajo.
“Natyrisht që kjo politikë e jashtme e fokusuar në interesin e Kosovës dhe jo të individëve, po ju pengon disave, jo vetëm në Serbi por edhe jashtë saj”, ka theksuar presidentja.
Ideja për ‘korrigjimin e kufirit’ mes Kosovës dhe Serbisë, për herë të parë ishte hedhur në publik në korrik të vitit 2018 nga ish-presidenti Hashim Thaçi.