Korrigjim i kufirit apo "Ballkani i Hapur", flet kryeministri Kurti
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është pyetur nëse si një lëshim të fundit ndaj Serbisë do të zgjedhë “Ballkanin e Hapur” apo korrigjimin e kufirit.
Në një intervistë në Syri.tv, kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë nuk mund të zgjedhin mes dy të këqijave.
“Nuk mendoj që duhet të zgjedhim midis dy të këqijave. Shpeshherë në politikë më kanë thënë a do shkëmbim territorial apo Zajednicë? A ta thyejmë këmbën apo dorën? Më së miri të mos ma thyesh asnjërën, pse ne shqiptarët që jemi tkurrur historikisht nuk e popullojmë as gjysmën e territorit që e kemi populluar para gjysmë shekulli, pse na u dashka të zgjedhim të keqen më të vogël”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë më shumë mes vete dhe duhet ta bëjnë këtë edhe përmes Procesit të Berlinit dhe jo “Ballkanit të Hapur”.
“Çka nuk është e mirë për Kosovën, nuk është e mirë as për Shqipërinë, çka nuk është e mirë për Shqipërinë nuk është e mirë as për Kosovën. Ne jemi dy shtete dhe jemi një komb, duhet ta rrisim ndjeshmërinë dhe bashkëpunimin me njëri-tjetrin. Në Procesin e Berlinit udhëheq Gjermania, në procesin e “Ballkanit të Hapur” udhëheq Serbia”, tha Kurti.
Takimi i fundit i “Ballkanit të Hapur” u mbajt më 7 dhe 8 qershor në Ohër, ku u nënshkruan katër marrëveshje dhe memorandume.
Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia u zotuan për thellim të bashkëpunimit në sferën ekonomike, atë të arsimit, kulturës dhe turizmit.
Kosova ka refuzuar vazhdimisht që të jetë pjesë e kësaj iniciative.
Ndërkaq korrigjimi i kufirit si ide ishte përmendur nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Korrigjimi i kufirit: Një opsion që po e ‘shkund’ vazhdimisht dialogun Kosovë-Serbi