Haradinaj kërkon mbylljen e kazinove dhe lojërave të fatit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përshëndetur propozim rezolutën e 49 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, lidhur me pezullimin e aktiviteteve të kazinove dhe lojërave të fatit dhe plotësim ndryshimin e ligjit përkatës.

Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se ka kërkuar inicimin e procedurave të nevojshme brenda ekzekutivit, të cilat do të rezultonin me mbylljen dhe pezullimin e aktiviteteve të kazinove dhe lojërave të fatit.

“Përballë kësaj gjendjeje, ne nuk do të lejojmë që këto vende të jenë arenë e krimit dhe të marrin jetë njerëzish. Ekzekutivi dhe organet e sigurisë, tashmë janë mobilizuar për të reaguar dhe parandaluar degradimin e mëtejmë”, ka shkruar kryeministri.

Ndryshe, sot Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë seancë të jashtëzakonshme me kërkesën e 49 deputetëve lidhur me pezullimin e aktiviteteve të kazinove dhe lojërave të fatit dhe plotësim ndryshimin e ligjit përkatës.