Nga një mbledhje e Qeverisë - Foto: ZKM

Qeveria: Në Veri Nuk do të Ketë Mure, por Vazo me Lule

“Është një marrëveshje ligjore, është zgjidhë një problem në mënyrën më të mirë, në saj të mirëkuptimit. Edhe veprimin e mënjanimit të atij muri e ka bërë vetë Komuna dhe organet komunale”, tha Mustafa në mbledhjen e Qeverisë lidhur me murin i cili u rrënua të dielën.

Ai gjithashtu ka falënderuar edhe Komunën e Mitrovicës së Veriut që e ka zbatuar marrëveshjen për rrënimin e murit.

“Komuna e Mitrovicës së Veriut po ashtu ka zbatuar me përpikëri marrëveshjen që kemi lidhur, sikurse edhe dy ministritë tona të cilat kanë punuar edhe ditën e shtunë që të kryejnë të gjitha veprimet që janë kërkuar nga këto ministri dhe tani kam informatën që kemi kërkesë nga Komuna e Veriut që të bashkëpunojnë ngushtë me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në procesin e mbikëqyrjes së këtyre punimeve, në mënyrë që çdo gjë të bëhet, që është një shembull shumë i mirë”, tha kryeministri Mustafa.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka treguar se çka përmban marrëveshje që ishte arritur para disa ditësh.

“Marrëveshja parasheh në rend të parë largimin e murit, rrënimin e tij, i cili është realizuar brenda afatit të paraparë. Marrëveshja ka paraparë pastaj dizajnimin e planit të sheshit, i cili është plan që është negociuar gjatë, për çdo detaje të tij, edhe juridike, edhe teknike, edhe hapësinore, konform legjislacionit të Republikës së Kosovës”, është shprehur ministri Ferat Shala.

Ministri gjithashtu ka folur edhe për debatin e kohëve të fundit se do të ndërtohet edhe një mur tjetër në pjesën në Mitrovicën e Veriut.

“Në këtë pjesë, që së fundi është bërë debat jo është mur jo s’është mur, nuk ka mur. Në atë shesh nuk ka mure, ka vazo lulesh me dy nivele, me një lartësi i pari 40 centimetra dhe i dyti maksimum 70 centimetra, ku do të jenë të hapura në mes, të mbushura me dhe për lule, dhe asnjë lloj muri, asnjë lloj simbolike, asnjë lloj kriteri tjetër nuk ka”, tha në mes tjerash ministri Shala.

Rrenat e Liderëve për Rrëzimin e Murit