Punëtorët KEDS-it Protestojnë Kundër Largimit nga Puna

Rreth 50 ish-punëtorë të KEDS-it dhe përfaqësues të Sindikatës së Pavarur të Elektro-Kosovës kanë protestuar sot para objektit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale kundër largimit nga puna të punëtorëve të kësaj kompanie.

Ata thanë se rreth 30 punëtorë janë larguar “pa asnjë arsye” nga puna, ndërkohë që presin se do të ketë edhe shkarkime të tjera.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Elektro-Kosovës, Hysni Gashi, tha se për largimin e punëtorëve nga puna ka dhënë leje edhe Qeveria e Kosovës.

Në një kontratë të cilën e tregoi ai, punëtorët e KEDS-it të cilët kanë punuar ndërmjet tri dhe 10 vjet marrin kontratë me kohë të pacaktuar.

Me këtë, ai thotë se po dëshmohet se Kontrata Kolektive nuk është e aplikueshme për të gjitha kompanitë private dhe publike.

Gashi tha se më 4 dhe 5 prill të këtij viti kontratat e punës u janë ndërprerë rreth 30 punëtorëve të KEDS-it dhe se largimet pritet të vazhdojnë.

Hysni Gashi tha se kanë dalë për të shprehur shqetësimin për largimin nga puna të punëtorëve të KEDS-it.

“Prej këtyre punëtorëve që po largohen prej punës kemi mosha të llojllojshme, tu fillu prej moshës 27 vjet deri në 54 vjet”, ka thënë ai.

Fatime Zeka ka shprehur shqetësimin e saj. Ajo nuk e di si do t’ia dalë mbanë që të mbajë familjen pas largimit nga puna.

“Ai objekt është ndërtuar me djersën tonë, me djersën e punëtorëve, e sot ne mbesim në rrugë dhe Qeveria jonë na ka shitë te pronarët e huaj dhe sot kemi ardhë në këtë gjendje”, tha Fatime Zeka, e cila tregoi se në KEDS kishte punuar edhe babai i saj dhe kishte kontribuar për atë objekt.

Pas takimit me zëvendësministren Rita Hajzeri, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Elektro-Kosovës, Hysni Gashi tha se për të gjitha ato që po mundohen të bëjnë këta punëtorë të KEDS-it është një neglizhencë nga ana e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Bëmë një bisedë, na u tha jo ky thotë e kemi kryer punën, jo ai e kemi kry punën. Përfundimisht asnjë punë nuk kanë kry as bile nuk e kanë gajle për atë që punëtorët e KEDS-it po dalin nga puna”, ka thënë Fejzullahu.

Në fund, Sherif Fejzullahu, nënkryetari i Sindikatës së Pavarur të Elektro-Kosovës, paralajmëroi protestë për të shtunën të të gjithë punëtorëve të KEDS-it të cilët po largohen nga puna “pa asnjë arsye”.