PSD e Shpend Ahmetit bën llogarinë e vitit të parë

Është mbushur një vit qëkur të pakënaqurit e Lëvizjes Vetëvendosje kanë marrë kontrollin e Partisë Socialdemokrate dhe për të folur për punën që është bërë brenda një viti, dy deputetë të PSD-së, Shqipe Pantina e Dukagjin Gorani, dolën para mediave të mërkurën në mesditë.

“Sot shënojmë një vit të përpjekjes sonë për ta rikthyer synimin tonë për drejtësi sociale, barazi në mes gjinive, dhe për një shtet funksional. Sot e shënojmë një vit që është ndërtuar një subjekt bashkëkohor”, tha Dukagjin Gorani, deputet i PSD-së.

Sipas Goranit, përgjatë një viti, shoqëria e politika patën shumë ndasi, por PSD u angazhua që të bëjë dallimin.

“Ishte një vit i sfidave shoqërore kolektive e personale, një vit i krizave qeveritare. Ishte edhe një vit ndasive grupore e partiake. PSD u angazhua ta bëjë dallimin opozitar dhe opozitës destruktive. Tash e një vit PSD vazhdon shtrirjen e saj”, tha ai.

Në anën tjetër, deputetja Shqipe Pantina përmendi punën që po bëjnë dy komunat që udhëhiqen nga kjo parti.

“Për një vit, PSD është angazhuar që të gjej problemet e qytetarëve. Shembull janë dy komunat që ne udhëheqim, në Prishtinë dhe Kamenicë. Ne kemi aplikuar kuotën 50- 50 brenda partisë, ndërsa edhe në komunat ku udhëheqim jemi mirë”, tha ajo para gjatë një konference për media.

Pantina tutje njoftoi se nesër në Prishtinë do të festohet një vjetori ndërsa përmendi edhe organizmin e brendshëm të PSD-së deri me tani.

“Deri më tani kemi ri- themeluar 17 degë në qytetet kryesore dhe kemi themeluar dhjetëra nëndegë. E gjithë kjo punë është vetëm brenda një viti, ne jemi të përkushtuar për të vazhduar pavarësisht sfidave. Nesër nga 18:30 shënon një vjetorin e themelimit në sallën e kuqe në Prishtinë”, tha ajo.

PSD aktualisht është në opozitë me 12 deputetë të cilët kishin lënë Vetëvendosjen. Ajo nuk u bë pjesë e Qeverisë Haradinaj, ndonëse kur erdhi koha për votimin e buxhetit, partia e Shpend Ahmetit ia ofroi votën Ramush Haradinajt.

PSd gjithashtu është bërë pjesë e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë me Shpend Ahmetin si bashkëkryesues i delegacionit dhe Visar Ymerin e Dukagjin Goranin si anëtarë të tij.

https://kallxo.com/miratohet-ne-parim-buxheti-per-vitin-2019/