Promovimi i librit me tregime "Dheu i ofshamës" - Foto: KALLXO.com

Promovohet libri  ‘Dheu i ofshamës’ me rrëfime për ‘kohë të vështira’

Organizata joqeveritare “Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimi i paqes” në bashkëpunim edhe me qendrën gjermane  KUVRE Wuster kanë promovuar sonte librin ‘Dheu i ofshamës’ dhe shfaqjen e filmit dokumentar të realizuar në kuadër të projektit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”.

Në këtë libër janë përmbledhur rrëfime të individëve të moshave dhe etnive të ndryshme nga vende të ndryshme të Kosovës, fotografi dhe punime artistike, përmes së cilave në një apo mënyrë tjetër arrihet të dokumentohet e shkuara historike, tmerret e luftës dhe njerëzorja te personat e ndryshëm.

Duke folur rreth projektit të bashkëpunimit dhe përvojave, Benjamin Blankner koordinator i KUVRE Wuster, ka pohuar ndër të tjera se libri ‘Dheu i ofshamës” është një libër me rrëfime të guximshme dhe pavarësisht se përballet me një temë të vështirë ka anët pozitive, sidomos mënyra se si pjesëmarrësit kanë rrëfyer të kaluarën e tyre.

Ndërsa Emine Ismajli nga OJQ “Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimi i paqes”, duke falënderuar donatorin e projektit, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, ka thënë se në promovim se libri “Dheu i Ofshamës” përmbledh rrëfime të dokumentuara, punime artistike dhe fotografi të secilit prej njerëzve që ishin pjesëmarrës në projekt dhe që janë përfshirë në libër.

“Është shumë e vështirë të dokumentohet e kaluara, pasi  shtëpitë janë djegur, janë djegur kujtimet, mungojnë fotot, por secili prej njerëzve brenda vetes ruan gjëra që janë skalitur përjetë, ngjarje traumatike të cilat nuk mund t’i harrojmë”, ka thënë Ismajli.

Ndërsa ka porositur se e kaluara nuk duhet harruar, ajo tha se viktimat e luftës, të zhdukurit, familjarët e tyre kërkojnë drejtësi dhe që ajo një ditë të vihet në vend.

Në kuadër të këtij promovimi është dhënë edhe filmi dokumentar i realizuar me pjesëmarrësit e projektit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”, të cilët rrëfejnë për përvojat e tyre, për ballafaqimin me rrëfimet e pjesëtarëve të etnive dhe rajoneve të ndryshme të Kosovës.

Në fund janë ndarë edhe mirënjohje dhe certifikata për pjesëmarrësit e projektit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”.