during the UEFA EURO 2016 Group A match between Albania and Switzerland at Stade Bollaert-Delelis on June 11, 2016 in Lens, France.

Promovohet libri për Granit dhe Taulant Xhakën

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës sot është promovuar libri “Legjendat e futbollit, Vëllezërit Xhaka, Ambasadorët” i autores Hava Kurti- Krasniqi.

Nga të pranishmit u vlerësua lartë publikimi i këtij libri i cili përmban tregime të shkurta mbi futbollin dhe dy vëllezërit futbollistë.

Granit dhe Taulant Xhaka janë me origjinë nga Kosova ndërsa futbollin ndërkombëtar po e zhvillojnë respektivisht me kombëtaret e Zvicrës dhe Shqipërisë.

Në futbollin e klubeve, Graniti luan për klubin londinez të Arsenalit ndërsa Taulanti për klubin zviceran Bazel.

Ndonëse ishte njoftuar se do të merrte pjesë, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi nuk erdhi në promovim.

Këshilltari politik i ministrit Gashi, Daut Thaçi, tha se vëllezërit Xhaka kanë promovuar Kosovën në gjithë botën.

“Në emër të ministrit e përshëndes promovimin e këtij libri. Vëllezërit Xhaka, e kanë promovuar vendin tonë shumë, historia e tyre do të jetë motiv për gjeneratat e reja. Me punën e tyre ata kanë arritë shumë. Këta duhet të jenë motiv për gjeneratat e reja, me punë mund të arrihet gjithçka”, tha ai.

Në këtë promovim mori pjesë edhe Ramadan Avdiu, konsull i Kosovës në Gjenevë.

“Ky libër është një dhuratë e mirë për lexuesin. Të rinjtë mund të shohin shumë çka, gëzimin e shënimit të golit, hidhërimin pra shumë emocione. Unë uroj që autorja të vazhdojë me punu dhe me publiku krijime të reja”, tha Avdiu para të pranishmëve.

Ndërsa, autorja e librit “Legjendat e futbollit, vëllezërit Xhaka ambasadorët”, Hava Kurti- Krasniqi falënderoi familjen Xhaka dhe të pranishmit në promovim.

“Falënderoi ministrinë e Kulturës që mundësi promovimin e librit sot.  Falënderoj familjen Xhaka që më kanë lejuar të shkruaj për vëllezërit Xhaka”, tha ajo.

Ajo kërkoi nga institucionet vendore që të përkrahin më shumë sportin në Kosovë ndërsa tregoi edhe nga i erdhi ideja për shkrimin e këtij libri.

“Synimi i librit është të paraqesim modele. Edhe sporti do punë por puna është fisnike në futboll. Sportit i duhet një qeverisje edhe më e mirë sesa që është tani. Ideja për këtë libër ishte e një nxënësi tim zviceran”, tha ajo.

Autorja është mërgimtare dhe jeton në Zvicër. Në këtë promovim mori pjesë edhe babai i dy futbollistëve shqiptar, Ragip Xhaka.