Ekokultura, ‘Atlas i Trashëgimisë Shpirtërore Shqiptare mbi Natyrën’

Profesori i Antropologjisë, Arsim Canolli, tha se libri Ekokultura lexohet si një atlas i nevojshëm i trashëgimisë shpirtërore shqiptare mbi natyrën.

Këtë ai e thanë Bibliotekën Kombëtare ku u promovua libri “Ekokultura – Natyra në kulturën popullore shqiptare” dhe u hap ekspozita “Arterren – Fotografi 2007 – 2017” me autor Shemsi Krasniqi.

Arsim Canolli tregoi se temat të tilla janë trajtuar dhe vlerësuar pak në akademi.

“Temat e vogla vlerësohen pak. Tema si praktikat ditore, ritet e motmotit, tabutë sociale, gjestet kulturore që i takojnë jetës së përditshme mund ta fshehin anomalinë e jetës që nuk i përputhet teorisë”, tha ai.

“Si mund ta njohim një shoqëri pa e njohur se çfarë mban ajo në gji? Çfarë tjetër mban një shoqëri në gji veç këtyre praktikave, simbolikave, dokeve përveç jetës kulturore e sociale ku domosdoshmërisht përkthehet edhe jeta ekonomike e politike?”, shtoi Canolli.

Gjithashtu ai tregoi se libri hap shumë tema e nëntema për hulumtim në antropologji.
Linda Gusia profesoreshë në Departamentin e Sociologjisë në UP tha se pasuria e këtij libri qëndron në punën e gjatë në terren.

“Mendoj që kontributi i jashtëzakonshëm të librit të Shemsiut është pikërisht sepse libri është një punë e gjatë e përkushtuar, e detajuar dhe e mbështetur mirë në terren… Me punën në terren profesor Shemsiu ka dëshmuar se sa i pasur e i larmishëm dhe i pahulumtuar është terreni në Kosovë”, tha Gusia.

Gjithashtu, ajo theksoi se në libër ndërthuren disa disiplina të shkencave shoqërore.

Anton Berishaj, sociolog, u shpreh se libri i Krasniqit i vendos sociologët në një raport të ri.

Për sociologët është me rëndësi të kuptohet se ky libër ka synuar e ka arritur dekonstruktimin e bindjeve të ndërtuara me kohë, në vetëdijen tonë se raporti i njeriut me natyrën është brengë vetëm e disa shkencave të tjera.

Ai shtoi se ky libër “hyn në sintetizimin dhe analizimin e përmbajtjeve që lidhen me vlera dhe koncepte që shprehin mënyrën që siç pohon ai (autori) kuptohet dhe reprezentohet natyra në kulturën popullore shqiptare”.
Ibrahim Berisha, ligjërues i Sociologjisë së Komunikimit, tha se fotografitë e ekspozitës janë të bëra në vende tërheqëse dhe në kohë të ndryshme të vitit.

“Në katalog por edhe në ekspozitë janë paraqitur 100 foto nga 400 që ishin prej mijëra që ishin bërë në terren… Publikimi përmban fotografi të bëra gjatë hulumtimeve dhe udhëtimeve që Krasniqi i ka ndërmarrë në të gjitha stinët në kohë e rrethane të ndryshme nëpër rajonet më tërheqëse dhe më ekstreme të Kosovës”, tha Berisha.

Sipas tij një publikim i tillë do të duhej të ishte në të gjitha vendet ku paraqitet Kosova.

Zanita Halimi, antropologe, tha se ekspozita e tregon edhe vullnetin e profesorit për ruajtjen e natyrës dhe trashëgimisë.

“Të gjitha fotografitë e ekspozuara në ekspozitë dhe të prezantuara në katalog janë të rrethuara, të ndikuara dhe të pushtuara nga ndjenja e fortë e profesorit Krasniqi për njohjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore”, tha ajo.
Sipas saj, po ashtu, dëshmohet se “etnologjia e antropologjia nuk janë vetëm disiplina të fjalëve” sepse siç thotë ajo “pamjet vizuale të inkorporuara vetëm sa e fuqizojnë më tepër këtë bashkëpunim”.

Autori i monografisë tregoi se ka pasur sfida gjuhësore gjatë shkrimit të monografisë.

“Më është dashur të emërtoj fenomene të cilat nuk kishin emër (në shqip). Është për shembull “shembëllimi” që e kam përdorur për fenomene kur një objekt natyror i ngjan një forme njerëzore”, tha Shemsi Krasniqi.

Ai tregoi se elementet e kulturës së lidhur me natyrën flasin për një qasje që e ka vendosur natyrën në qendër (qasje biocentrike), që ka përmbajtur edhe ekologjinë sakrale apo shenjtërimin e natyrës.

Krasniqi shtoi se ekspozita do të jetë e hapur gjatë të tërë javës ndërsa libri mund të gjendet në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe në libraritë Dukagjini dhe Artini.
Duke iu referuar përvojës së tij gjatë hulumtimit, ai tregoi për KALLXO.com se cilat janë fushat e reja të studimit që i hap libri.

“Fusha (e re) që i takon Arkeologjisë, Antropologjisë, Historisë së Artit, Semiologjisë (studimit të shenjave) është arti shkëmbor. Në Kosovë ka art shkëmbor por deri më tani nuk ka qenë i njohur për publikun. Ndërsa fusha tjetër që i takon Etnologjisë, Antropologjisë janë rituale e lidhura me shkëmbinj…”, tha ai.

“Ka edhe pelegrinazhe në male që nuk kanë qenë shumë të njohura. Për shembull ajo që ndodh në Lybeten më 2 gusht është një lloj pelegrinazhi sepse me mijëra njerëz dalin dhe e shohin lindjen e diellit. Këto gjëra ndodhin edhe në Lindjen e Largët në Tibet për shembull”, tha ai për KALLXO.com duke iu referuar festës së Aligjynit.