Drita Hajdari, Foto: KALLXO.com

Prokuroria Speciale e Kosovës kërkon nga Serbia rastin e Ramadan Malokut

Rreth 2 javë pasi që fillimisht ishte marrë në pyetje dhe pastaj në pretendime që lidhen me krime të luftës ishte ndaluar nga Policia e Serbisë teksa po kalonte në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, rasti i Ramadan Malokut mund t’i transferohet Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Deri te kjo mund të vijë pasi që Prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari ka bërë kërkesë autoriteve të Serbisë që të transferojnë rastin tek autoritetet kosovare.

“Pasi që kamë mësuar nga media për arrestimin e tij dhe caktimin e masës së paraburgimit në Republikën e Serbisë, përmes Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kosovës, kam dërguar kërkesë autoriteteve të Republikës së Serbisë, që rasti i Ramadan Malokut të transferohet në Prokurorinë Speciale e Republikës së Kosovës”, tha prokurorja Hajdari për KALLXO.com.

Kërkesa e Prokurores Drita Hajdari është rasti i parë që Prokuroria Speciale e Kosovës parashtron një kërkesë të tillë.

Maloku i cili sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës nuk ka rast të hapur për krime të luftës në Kosovë, aktualisht po mbahet në paraburgim në Serbi, ndërsa prokurorja Hajdari tha se kërkesën e ka bazuar në kompetencën territoriale.

“Kërkesën e kam bazuar në faktin se personi i arrestuar është shtetas i Republikës së Kosovës dhe veprat të pretenduara penale janë kryer në territorin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, kam cekur se sipas Kodit të procedurë penale e Republikës së Kosovës, si dhe në bazë të standardeve juridike ndërkombëtare, Republika e Kosovës është kompetente reale dhe territoriale për  procedimin e këtij rasti”, tha Hajdari.

Hajdari, në kërkesën e saj, ka theksuar se në Republikën e Kosovës funksionon Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovë cila disponon me kapacitete të nevojshme për procedimin e rasteve të tilla.

“Prokurorët e kësaj prokurorie kanë njohuritë dhe përvojën e nevojshme profesionale për procedimin e rasteve për krime lufte, duke u kujdesur për mbrojtjen e interesave të dëshmitarëve dhe të palëve të dëmtuara”, tha prokurorja Hajdari.

Një rrethanë tjetër të cilën e ka përmendur Hajdari për të mbështetur kërkesën e saj është edhe garantimi i prezencës së dëshmitarëve dhe personave të dëmtuar që jetojnë jashtë Kosovës.

Mediat raportuan se Maloku ishte ndaluar në fillim të këtij muaji teksa përmes pikës kufitare të Dheut të Bardhë po udhëtonte për në Leskovc së bashku me një shoqërues.