Seanca e gjykimit në rastin e të pandehurës Zagorka Miliq - Foto: KALLXO.com

Prokurori tërhiqet nga aktakuza në rastin e të akuzuarës Zagorka Miliq

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës sot përfundoi në tërësi gjykimi në rastin e të akuzuarës për keqpërdorim të së drejtës së votimit.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, Zagorka Miliq, në qershor të vitit 2014 në shkollën fillore “Vuk Karaxhiq” në Zveçan, në ditën e zgjedhjeve nacionale në vendvotimin me numër 2901B/06D ka votuar një herë si votues me kusht.

Më pas, në të njëjtën shkollë, në vendvotimin me numër 2901B/03R ka votuar si votuese e rregullt, thuhet në aktakuzë.

Me këtë ka kryer veprën penale “’Keqpërdorim i të drejtës së votimit”.

Pas fillimit të seancës, gjyqtari i rastit Avni Mehmeti njoftoi palët se kishte pranuar ekspertizën nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë (AKF).

Bazuar në raportin e kësaj ekspertize nuk ishte arritur të përcaktohet ose të eliminohet shkruesi nga zarfi i fletëvotimit me kusht.

Pas kësaj prokurori Ismet Ujkani lidhur me aktakuzën u shpreh se duke pasur parasysh raportin e ekspertizës grafologjike, si dhe mbrojtjen e të pandehurës deklaroi se duke iu referuar parimit In Dubio Proreo se mëdyshjet duhet pasur parasysh në favor të të pandehurës, andaj unë heq dorë nga ndjekja penale dhe aktakuza kundër të pandehurës për veprën penale keqpërdorim i të drejtës së votimit.

Më pas trupi gjykues duke marrë parasysh se prokurori i shtetit është tërhequr nga ndjekja penale dhe aktakuza ndaj të pandehurës, në këtë rast në mungesë të aktakuzës, vendosi se shqyrtimi gjyqësor nuk mund te vazhdojë me tutje.

Për këto arsye gjyqtari Mehmeti njoftoi palët se shqyrtimi gjyqësor përfundoi dhe çështja penale në këtë rast mbyllet në tërësi me ç’rast edhe u shpall aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarës Zagorka Miliq.