Prokurori: Provat Tregojnë se Astrit Dehari Bëri Vetëvrasje

Raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore rreth shkaqeve të vdekjes së Astrit Deharit i bërë publik sot në Prishtinë, përcakton se ai ka bërë vetëvrasje.

Këtë e ka konfirmuar sot Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, në një konferencë për shtyp.

Konferenca e Hoxhës erdhi menjëherë pasi ai ia dorëzoi raportin përfaqësuesit ligjor të familjes Dehari, avokatit Tomë Gashi.

“Të gjitha provat dhe ekzaminimet e kryera gjatë procesit hetimor demonstrojnë se ky rast ishte vetëvrasje”, tha kryeprokurori Hoxha në konferencë për shtyp.

“Vdekja ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike, mbyllja e organeve të frymëmarrjes si pasojë e mbylljes së rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga një mjet i fortë”, shtoi ai.

Sipas Hoxhës, prokuroria deri më tani ka marrë në pyetje 17 persona, prej të cilëve 4 janë marrë në pyetje për herë të dytë, në procesin e zbardhjes së rastit.

Por ai tha se ende nuk ka asnjë të dyshuar për këtë rast.

“Nuk është dhënë asnjë dyshim i mundshëm për ndonjë përleshje fizike apo problem mes të burgosurve apo oficerëve me të ndjerin Dehari. Dhoma ku ka qëndruar Dehari gjendet në katin e dytë dhe dritaret nuk shihet se janë të dëmtuara. Nuk kemi asnjë person të dyshuar për vepër penale apo që mund ta ketë shkaktuar vdekjen”, tha Hoxha.