Prokurimi Pa Ankesa i Jahjagës

Në mandatin e saj pesëvjeçar Zyra e ish-presidentes Atifete Jahjaga shpenzoi në procedura tenderuese rreth 1.8 milion euro.

Fituesit dhe humbësit e tenderëve gjatë pesë viteve nuk ushtruan asnjë ankesë në OShP, ndërsa Auditori i Përgjithshëm konstatoi se Presidenca rriti shpenzimet vetëm në kategorinë e pagave dhe mëditjeve.

Jahjaga e përfundoi mandatin e saj me një rritje të ndjeshme të pasurisë së saj personale. Nga 7 mijë e 849 euro sa kishte të kursyera në vitin 2011 në 86 mijë euro të kursyera në deklarimin e fundit të pasurisë.

Megjithatë, raportet dhe përllogaritjet e shpenzimeve të zyrës së presidencës tregojnë se Jahjaga nuk e shpenzoi një pjesë të madhe të buxhetit.

Në vitin e parë të qeverisjes Jahjaga kishte shpenzuar vetëm 48% të buxhetit apo 289 mijë euro. Një vit më vonë kontratat u rritën në 540 mijë euro për të rënë sërish gjatë vitit 2013, në 233 mijë euro.  2014-ta shënon vitin me më së paku shpenzime të kontraktuar nga Zyra e Presidencës. Në këtë vit janë kontraktuar vetëm 226 mijë euro. Kontratat janë rritur më 2015, kur janë kontraktuar të shpenzohen 582 mijë euro.

Të dhënat zyrtare të siguruara nga Organi Shqyrtues i Prokurimit publik tregojnë se për tenderët e Presidencës gjatë pesë viteve nuk pati asnjë ankesë.

Organi tjetër i cili kontrollon shpenzimin e parasë publike Auditori Gjeneral në raportet vjetore të tij kishte konstatuar vërejtje të vogla në shpenzimin e parasë publike ndërsa kishte konstatuar se Presidenca ndër vite nuk e ka shpenzuar në plotëni buxhetin e saj duke rritur kursimet në kategoritë  e mallrave dhe shpenzimeve.