Prizren, Prokuroria nis hetimet ndaj doktorit të dyshuar për fyerje të pacientes

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar po heton rastin e kirurgut, Rr. Y nga Reparti i Kirurgjisë në Prizren, për shkak të mos trajtimit dhe fyerjes së një pacienteje.

“Në bazë të informacioneve të siguruara nga mediat lidhur me dyshimet për mos trajtimin e duhur të një pacienteje në Spitalin Rajonal të Prizrenit – Reparti i Kirurgjisë, nga ana e mjekut kirurg Rr.Y me vetiniciativë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore rreth grumbullimit dhe mbledhjes së informacioneve të nevojshme me qëllim të zbardhjes dhe sqarimit të kësaj çështje”, ka sqaruar prokuroria.

Gjithashtu  në njoftim thuhet se kjo prokurori është e vendosur që t’i parandaloj dhe luftojë të gjitha dukuritë negative që janë në kundërshtim me ligjin dhe i bënë thirrje të gjithë qytetarëve që çdo parregullsi apo keqpërdorim të detyrës zyrtare ta denoncojnë pranë kësaj prokurorie apo tek organet policore.

Gjatë ditës së djeshme në media qarkulloi një video incizim në të cilën dëgjohej kirurgu Rr. Y deri sa fyente dhe nuk pranonte ta trajtonte një paciente në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Ai ishte suspenduar nga ana e Menaxhmentit të Spitalit të Prizrenit.

Në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

“Sapo u njoftova që kirurgu në Prizren është suspenduar nga menaxhmenti i Spitalit të Prizrenit. Ky reagim duhet të jetë mësim për të gjithë ata që abuzojnë me pozitat dhe besimin e dhënë. Do të vazhdojmë të investojmë në sistemin shëndetësor dhe në të gjithë punëtorët shëndetësorë me integritet dhe etikë të lartë. Por, nuk do të kemi tolerancë ndaj abuzimeve”, ka shkruar ministri.

https://kallxo.com/ministri-ismaili-e-denon-gjuhen-e-mjekut-prizrenas-te-perdorur-ndaj-pacientes/