Prokuroria kërkon paraburgim ndaj dy të dyshuarve për dhunimin e 13-vjeçares

Dy persona të rritur ranë në pranga të Policisë së Kosovës nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Dhunim” ndaj një të miture.

Viktima që është 13-vjeç fillimisht ishte raportuar si e zhdukur nga familjarët e saj në stacionin e policor në Suharekë më 16.03.2024, ndërsa dy ditë më vonë, më 18.03.2024, ajo u gjet më Vushtrri dhe e gjithë ngjarja më pas është iniciuar si “Dhunim”.

Lidhur me këtë rast, KALLXO.com ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Prizren për të parë se çfarë veprime janë ndërmarr deri më tani ndaj personave të dyshuar.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Fitore Mehmeti- Sejrani tha se ndaj të dyshuarve është parashkruar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

“Me urdhër të prokurorit janë ndaluar për 48 orë, dy persona me inicialet D. D., dhe P. B., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale ‘Dhunimi’. Për dy të dyshuarit prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit”– tha zëdhënësja.

Burime të KALLXO.com kanë bërë të ditur se njëri nga të dyshuarit është i moshës rreth 20-vjeçare.

Pasi u gjet nga zyrtarët policor, 13-vjeçarja deklaroi se gjatë dy ditëve sa ka qenë e raportuar si e zhdukur ka qenë nën shoqërimin e dy personave të rritur, në kohë të ndryshme.

Për deklaratat e të miturës, zyrtarët më pas njoftuan edhe prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar që të hapet rast “Dhunimi”.

Raporti i Policisë ka bërë të ditur se njëri nga të arrestuarit është shoqëruar në zyrat e policisë ku dhe është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës.

Ai mësohet se e pranoi se kishte qenë në hotel me të miturën.

Policia ka thënë se dy të dyshuarit, pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

13-vjeçarja që dyshohet se u dhunua seksualisht nga dy persona, ishte raportuar si e zhdukur