Ilustrim

Tre të arrestuar në Malishevë e Prizren, Policia jep detaje për aksionin në auto-shkolla

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e tre personave të dyshuar në rajonin e Prizrenit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe legalizim të përmbajtjes së rrejshme.

Tre personat e arrestuar janë: I.G. – 62 vjeç, U.M. – 49 vjeç dhe L.B. – 49 vjeç. Policia tha se personat e dyshuar janë shoqëruar në zyrat e PK-së në Prizren, të cilët janë intervistuar, pastaj me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Në një komunikatë për media, Policia ka thënë se hetuesit policorë nga Sektori për Hetime Financiare, saktësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit fillimisht kanë pranuar një informatë lidhur me keqpërdorimet që dyshohet se janë kryer.

Kjo informatë që pranuan hetuesit policor tregonte se zyrtarë të një klinike mjekësore me seli në Prizren, dyshohet se lëshonin certifikata mjekësore për kandidatet të cilët paraqesin provimin për patentë-shoferë, pa qenë fizikisht prezent në klinikë dhe pa ua bërë kontrollin mjekësor.

Sipas PK-së, klinika në fjalë dyshohet se bashkëpunon me dy auto-shkolla, njëra me seli në Prizren dhe tjetra me seli në Malishevë.

“Dyshohet se edhe auto-shkollat kanë lëshuar vërtetime për aftësimin e kandidatëve në pjesën teorike dhe praktike pa qenë kandidatët fare prezentë në Kosovë” – u njoftua nga Policia.

Sipas komunikatës së Policisë, kjo informatë është trajtuar nga hetuesit policorë në bashkëpunim me Prokurorinë e Prizrenit, ku pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore janë mbledhur provat fillestare që vërtetojnë dyshimin e bazuar në lidhje me pretendimet apo dyshimet e lartcekura.

Lidhur me këtë rast, gjatë ditës prokurorja Ervehe Gashi ka thënë për KALLXO.com se në mesin e të arrestuarve janë zyrtarë të auto-shkollave dhe një person pjesë e një institucioni privat, i autorizuar për lëshim të certifikatave shëndetësore të nevojshme për pajisje me patentë-shoferë.

Gashi tha se klinika shëndetësore private apo spital është e autorizuar prej Ministrisë së Shëndetësisë për lëshimin e certifikatave të mjekut për patentë-shoferë.

Aksion në autoshkolla: Tre të arrestuar në Prizren për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe legalizim të përmbajtjes së rreme