Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli - Foto: REL

Presioni i Kadri Veselit, Haradinaj largon Beqajn nga Qeveria

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka konfirmuar se ka pranuar dorëheqjen e Ministrit të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj të cilin e ka falënderuar për bashkëpunim.

“Pranova sot, kërkesën për dorëheqje nga Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj dhe pas kërkesës së tij, duke e falënderuar për bashkëpunimin e deritashëm, vazhduam me procedurat administrative duke e liruar nga detyra e Ministrit”, ka shkruar Haradinja në facebook.

Tutje Haradinaj në postimin e tij ka përmendur të gjithë ministrat që janë liruar nga detyra duke treguar edhe shkaqet se pse ka marrë vendime të tilla.

“Gjatë udhëheqjes së Qeverisë së vendit me një koalicion me bazë të gjerë, deri tani kam liruar nga detyra: Ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj (AKR) dhe drejtori i AKI-së Driton Gashi për rastin e ekstradimit të shtetasve turq, Ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikalo (Lista Serbe), vendim politik, Ministrin e MAPL Ivan Todosijević (Lista Serbe) dhe Zv. Ministren Vesna Mikić (Lista Serbe), për shkak të mohimit të krimeve të luftës dhe shkeljes së parimeve demokratike të vendit, Zv. Ministri Musa Cena – MZHR (AAK) dhe Zv. Ministri Bujar Nerjovaj MAP (AAK), për shkak të përballjes ligjore me veprime të caktuara gjatë ushtrimit të funksionit zyrtar dhe përballjes me drejtësinë, Ministrin e Tregtisë, Bajram Hasani (NISMA), Ministrin e Brendshëm Bejtush Gashi (AKR), Ministren e Ambientit Albena Reshitaj (AKR), vendim politik”, ka shkruar Haradinaj.

Në fund Haradinaj ka theksuar se koalicioni qeverisës pavarësisht ndryshimeve do ti kryer detyrat e tij.

“Në respektim të marrëveshjeve politike, Qeveria e koalicionit të gjerë, do të vazhdojë t’i kryej detyrat qeverisëse ndaj qytetarëve të vendit, pa dallim”, ka theksuar ai.

 

 

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ia ka dorëzuar sot kryeministrit Ramush Haradinaj, dorëheqjen e tij një ditë pasi kryetari i partisë së tij, Kadri Veseli, vendosi t’i largojë nga pozitat partiake e institucionale personat nga PDK që kanë aktakuzë apo janë të dënuar nga gjykata.