Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Presidenti Thaçi: Më 2011-ën i dhamë fund idesë së Serbisë për ndarje të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kujtuar në 7 vjetorin e rënies, heroin e Kosovës, Enver Zymberin, i cili u vra gjatë ndërhyrjes së Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës.

“Sot e kujtojmë heroin e Kosovës së lirë, Enver Zymerin, i cili ra heroikisht duke mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e vendit tonë”, ka shkruar presidenti Thaçi në Facebook.

Presidenti duke e kujtuar Zymberin, ka thënë se në vitin 2011 i kemi dhënë fund idesë së Serbisë për ndarjen e Kosovës.

Ky adresim i presidentit vije në kohën kur në Bruksel po zhvillohet faza përfundimtare e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe kur është ngritur edhe çështja për mundësinë e ndarjes së Kosovës ose shkëmbimit të territoreve.

“Në korrikun e vitit 2011 i kemi dhënë fund idesë së Serbisë për ndarjen e Kosovës. Përkushtimi i Enver Zymberit për mbrojtjen e rendit dhe ligjit, si dhe sakrifica e tij për mbrojtjen e kufijve të Republikës së Kosovës, do të kujtohen përherë me nderimet më të larta institucionale”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Enver Zymberi ishte polic i Njësisë Speciale të Forcave Policore të Kosovës që nga viti 2002. Ai u vra me 26 korrik 2011 në Leposaviq, afër pikës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Enver Zymberi u qëllua gjatë aksionit për të shtrirë kontrollin e Kosovës në pjesën veriore të vendit.