Presidenti Thaçi kërkon njohjen nga Madagaskari - Foto: Presidenca e Kosovës

Presidenti Thaçi Kërkon Njohjen e Kosovës nga Madagaskari

Gjatë një takimi me nënkryetarin e Senatit të Madagaskarit, Amido, presidenti Hashim Thaçi kërkoi njohjen nga ky vend ishullor në brigjet e Afrikës.

Me mysafirin presidenti Thaçi ka bashkëbiseduar për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Presidenti Thaçi ka theksuar në këtë takim se Kosova është faktor stabiliteti në tërë rajonin, duke promovuar dialogun dhe paqen.

Sipas një komunikate të Presidencës, Thaçi ka informuar nënkryetarin Amido për procesin e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës në skenën ndërkombëtare, duke theksuar se prioritet mbeten njohjet dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.

Me këtë rast, presidenti Thaçi ka kërkuar njohjen nga Madagaskari, duke iu bashkuar kështu shumicës së shteteve anëtarë të OKB-së, që tashmë kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Senatit të Madagaskarit, Amido ka theksuar se shteti i tij është i interesuar për të bashkëpunuar me Kosovën në të gjitha fushat.

Ndryshe, Bangladeshi është vendi i fundit që e ka njohur Kosovën, më 27 shkurt të këtij viti.