
Gjergj Dedaj dhe familja e tij duke pranuar medaljen, Foto: Facebook/Hashim Thaçi
Presidenti Thaçi dekoron Gjergj Dedajn dhe familjen e tij
Presidenti i Republikës së Kosovës, ka nderuar me Medalje Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë edhe Gjergj Dedaj dhe familjen e tij.
“Për veprimtarinë, sakrificën dhe vetëmohimin e Gjergj Dedajt dhe tërë familjes Dedaj, sot i dekorova me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë, për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Sipas Thaçit si lider politik, Gjergj Dedaj ka internacionalizuar kauzën e Kosovës në botë, ka qenë pjesëmarrës në konferencën e Rambujesë dhe është kontribuues i pashoq për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në tri dekada.
“E madhe është edhe veprimtaria e familjes Dedaj. Për angazhimin e tyre, shumë anëtarë të familjes kanë paguar me jetë në Mejë të Gjakovës, në vitin 1999”, ka përfunduar Thaçi.