Preferohet Biznesi i Vogël, Prin Prishtina

Me publikimin e Repertorit Statistikor mbi ndërmarrje në Kosovë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për tremujorin e tretë të këtij viti, bëhet e ditur se në muajt korrik-shtator janë shënuar luhatje në krijimin e ndërmarrjeve të reja në krahasim me tremujorin paraprak dhe periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Mbi 2 mijë e 400 ndërmarrje janë regjistruar në muajt korrik-shtator, ndërsa janë shuar 457 sosh.

“Në tremujorin e tretë të vitit 2016 (TM3 2016) gjithsej janë regjistruar 2 476 ndërmarrje. Ndërsa, për periudhën e njëjtë, gjithsej janë shuar (çregjistruar) 457 ndërmarrje,” thuhet në njoftimin e ASK-së.

Ndërmarrjet e regjistruara në këtë tremujor ishin më të larta në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, po me rënie me atë paraprake.

“Krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM3 2015) pati një rritje për 8.4% të ndërmarrjeve të regjistruara.  Ndërsa, krahasuar me tremujorin paraprak (TM2 2016), pati një rënie prej 11.6% e ndërmarrjeve të regjistruara, ” tregon ASK-ja.

ASK-ja në publikim konstaton se tregtia ishte aktiviteti ekonomik më i preferuar, ndërsa për nga numri i të punësuarve dominon biznesi i vogël.

“Aktiviteti ekonomik më i preferuar gjatë këtij tremujori ishte tregtia me 21.7% të ndërmarrjeve të regjistruara. Kategoria e numrit të të punësuarve nga 1-9 (të punësuar) (mikro) përbën 96.6% të ndërmarrjeve të reja.”

Sipas shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ASK-ja thotë se me 24.9 për qind  prin Prishtina.