Mbledhja e sotme e Kuvendit | Foto: KALLXO.com

Pozitë e Opozitë Ankohen për Moszbatim të Rezolutave të Kuvendit

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu në diskutime jashtë rendit të ditës ka shprehur shqetësimin e grupit parlamentar të AAK-së për moszbatimin e rezolutave dhe vendimeve e rekomandimeve që Kuvendi i Kosovës i nxjerr.

“Ky kuvend ka nxjerrë shumë rezoluta. Rezoluta për çështje të pagjeturve, të tjera ai ajo e demarkacionit e migrimit të mijëra qytetarëve e edhe shumë tjera. Çka është e obligueshme për qeverinë e Kosovës? Kur rezolutat nxirren në bashkëpunim me të gjitha grupet parlamentare, a po i mashtrojmë ata qytetarë me debate, nxjerrim rezolute e themi se nuk është obligim për qeverinë. Kam kërkuar interpretim nga zyra ligjore e Kuvendit që nuk mu ka kthy kurrë. A janë a nuk janë obligim rezolutat? “, u shpreh deputetja e AAK-së, Haxhiu.

Sipas saj, nuk është Kuvendi ajo që e monitoron Qeverinë, por Qeveria po e monitoron Kuvendin. Haxhiu kërkoi nga Qeveria që ta kushtëzojë dialogun me Serbinë derisa nuk ka zgjidhje për të pagjeturit.

E në lidhje me moszbatim të rezolutave ka folur edhe deputetja e PDK-së, Flora Brovina.

Ajo ka kërkuar aktualizimin e rezolutës për gjenocidin serb në Kosovë.

“Zbatimi i rezolutave në përgjithësi nuk po bëhet dhe po iu humbet efekti. Po flas për nxjerrjen e rezolutës për gjenocidin, sepse nuk e kam ngritur deri tash. Nënshkrimet janë dorëzuar te Kryetari i Kuvendit, mirëpo në Kuvend mungonin nënshkruesit e kësaj rezolute. E meqë sot janë ata nënshkrues prezentë, kërkoj prej Kuvendit ta rikthejë atë dhe ta aktualizojë rezolutën për gjenocidin. Ajo na duhet dhe nuk ka kuptim pa atë rezolutë”, tha Brovina.