Foto: Policia e Kosovës

Policia Zbulon Arsenal Armësh në Mramor

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar në Mramor të Prishtinës ka gjetur armë dhe aparate të lojërave të fatit.

Në një aksion të policisë dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar të koduar me emrin “Yjet” në Mramor të Prishtinës janë gjetur dhe konfiskuar një sasi e madhe armësh dhe municioni, por edhe aparate të lojërave të fatit.

Policia njofton se aksionin e kishte nisur me urdhër të gjykatës dhe në të përveç njësiteve policore morën pjesë edhe përfaqësues të Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës.

Policia bën me dije se gjatë kontrollit në një shtëpi të Mramorit ka zbuluar dhe konfiskuar 7 armë të gjata të kalibrave të ndryshëm,1 armë të shkurtër “TT”, 33 fishekë, 1 kuti për pastrimin e armëve, 1 palë dylbi, 1 rryp mbajtës për fishekë.

Përveç armëve policia ka gjetur dhe konfiskuar 1 LlapTop,1 veturë “Chevrolet Suburban”,81 lloje të aparateve (dyshohet të padoganuara),59 monitorë të aparateve të lojërave të fatit,12 aceptorë të aparateve dhe 36 pjesë të ndryshme të aparateve të lojërave të fatit.

Policia gjatë aksionit ka arrestuar edhe një person, të cilit pasi i është marrë deklarata është liruar me urdhër të prokurorit.

KALLXO.com ka shkruar edhe për aksione tjera të policisë.