Kontroll i autobusëve nga Policia - Foto: KALLXO.com

Policia shqipton afro 200 gjoba për autobusët

Policia e Kosovës me njësitë e saj dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, përmes planifikimeve të përbashkëta kanë realizuar kontrollin e transportit publik të udhëtarëve, ndërurban, ndërkombëtarë dhe transportit të parregullt apo të ndaluar, prej datës 19.02.2019 deri më datën 01.03.2019.

Sipas komunikatës së lëshuar nga PK, qëllimi i këtyre planifikimeve është ndërmarrja e masave parandaluese dhe ndëshkuese ndaj kundërvajtësve, të cilit nuk posedojnë dokumentet e nevojshme gjatë operimit në transportin rrugor vendor dhe ndërkombëtarë të udhëtarëve, siç parashihet me Ligjin për transportin rrugor.

“Gjatë kësaj periudhe kohore (pjesa e parë), janë shqiptuar 193 fletëparaqitje për kundërvajtje, prej tyre 39 fletëparaqitje janë ndaj autobusëve ndër-urban, kurse 154 fletëparaqitje janë ndaj taksive pa leje pune ose kundërvajtjeve të tyre për ndalim ose parkim të pa lejuar, po ashtu është lëshuar 1 procesverbal dhe janë konfiskuar 2 mjete motorike (1 kombi dhe 1 veturë)”, thuhet në komunikatë.

Ditë më parë, KALLXO.com publikoi pamje nga aksioni I Policisë për kontrollin e autobusëve, për të parë nëse ka prej tyre që qarkullojnë pa dokumentet dhe lejet e nevojshme.

www.kallxo.com