Policia i 'ofendon' krerët e drejtësisë, i ul prapa këshilltarëve të Thaçit e Haradinajt

Në ceremoninë e cila është mbajtur sot për nder të 19 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, drejtuesit e sistemit gjyqësor të Kosovës janë skajuar në radhitje dhe ulje në karrige.

Organizatorët nuk e kanë respektuar fare faktin që pushtetet, ai gjyqësor, legjislativ e ekzekutiv, janë të barabarta.

Në fotografitë e KALLXO.com shihet se presidenti, kryeministri e kreu i AKI-së janë ulur në rendin e parë të mysafirëve ndërsa drejtuesit e institucioneve të drejtësisë janë lënë në rreshtat e fundit.

Nehat Idrizi, kryesues i KGjK-së, që është kreu organit më të lartë për menaxhimin e gjyqësorit, është ulur në rreshtat e fundit dhe prapa shumë këshilltarëve të presidentit Thaçi e kryeministrit Haradinaj.

Ai nuk ka dashur ta pranojë se ulja e tij në këtë formë është ofendim për pushtetin gjyqësor.

“Pritja e mysafirëve nuk ishte e organizuar. Dikush më thojke me dal me u ul dikun e një tjetër në një rresht tjetër kështu që e pash një shok timin polic edhe u ula tek ai. Kjo ka qenë arsyeja që nuk kam ndejtë deri në fund, ishte organizimi i stërzgjatur”, ka thënë Idrizi për KALLXO.com.

Pabaraiza është parë edhe në uljen e kreut të gjykatës më të lartë në vend, asaj Supreme. Enver Peci është ulur në rreshtin e dytë të ulëseve dhe prapa këshilltarit të presidentit Thaçi, Bashkim Smaka.

Kryetari i Gjykatës Supreme ka thënë për KALLXO.com se protokolli ka qenë i organizuar në atë mënyrë.

Unë kam qenë në rreshtin e dytë, nuk jam ndier i ofenduar, nuk e di nëse dikush është ndier i ofenduar” , ka thënë Peci.

Për këtë radhitje KALLXO.com ka tentuar të marrë një qëndrim nga zyra për media e Policisë por kontakti me ta ka qenë i pamundur.