Frika e grave për të raportuar ngacmimet seksuale në punë

Në mes të stigmës, të pambrojtura nga punëdhënësit e shteti, gra punëtore kanë rrëfyer ngacmimet seksuale në dhe gjatë punës nga koleget e punës apo klientët.

Leona* tash e katër vite punon në një pastiçeri në qendër të Prishtinës. Për të dhe koleget e saj, dërgimi i porosisë në tavolinat e shpërndara brenda e jashtë lokalit shpeshherë shndërrohet në siklet nga fjalët, pëshpëritjet, shikimet e ngacmimet e formave tjera seksuale nga burrat.

Përderisa mbante në duar tabakun me pije dhe nisej në drejtim të klientëve, Leona se shpesh ndjehet e cënuar dhe në siklet nga shikimet e burrave përreth.

“Përmes pasqyrës që është e vendos në shank, vërejmë që shikimet e klientëve të ‘zhveshin’ me sy’,” thotë 24 vjeçarja për BIRN.

Format e ngacmimeve që ajo përjeton janë të ndryshme. “Ngacmimet me fjalë janë më të pakta, por ngacmimet më të shpeshta janë kur shërbejmë tek ballkoni dhe pasi që marrim porosinë”, tregon ajo.

E gjendur në këtë realitet, shikimet nëse nuk përcillen me fjalë ngacmuese të natyrës seksuale nuk mirren seriozisht e madje në raste as që trajtohen si ngacmim seksual.

Por, sipas Ligjit për Barazi Gjinore që është në  fuqi prej vitit 2015, ngacmim seksual është “çfarëdo forme e sjelljes së padëshiruar verbale, jo verbale, apo fizike me natyrë seksuale, me qëllim apo pasojë prekjen apo shkeljen e dinjitetit të një personi, dhe për të krijuar një mjedis frikësues, armiqësor, degradues, poshtërues apo fyes”.

Kur Leona është ndjerë e ngacmuar nga shikimet apo fjalët e klientëve dhe kur i ka raportuar ato tek menaxheri i pastiçerisë, masat e ndërmarra kanë qenë minimale.

“Disa nga personat të cilët na kanë thënë ndonjë fjalë mu apo kolegeve të mia i kemi identifiku dhe i kemi tregu menaxherit dhe ai ka marr masat që mos me iu shërby më atyre personave”, rrëfen ajo.

Pasiguria, stigma dhe frika e humbjes së vendit të punës

Raportimi i ngacmimeve seksuale përcillet me stigmë dhe pa masa adekuate ndaj ngacmuesve e rrezikim të mirëqenies të atyre që e paraqesin raste i ka dekurajuar gratë t’i lajmërojnë ngacmimet seksuale.

Nuk ka asnjë  të  dhënë se sa ngacmime seksuale kanë ndodhur në vend të punës, pasi ngacmimet seksuale nuk kategorizohen se ku kanë  ndodhur.

Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës të siguruara nga BIRN, nga janari deri në muajin Mars 2021, janë raportuar vetëm katër raste të ngacmimeve seksuale, ndërsa gjatë tërë vitit 2020 janë raportuar gjithsej 48 raste të  ngacmimeve seksuale, pa u specifikuar vendi.

Liridona Sijarina nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, e cila ka hulumtuar në fushën e ngacmimeve seksuale në punë thotë se ngacmimi seksual është një ndër problemet kryesore të grave punëtore.

Por, sipas saj, raportimi i ulët vjen si pasojë e pasigurive dhe mbrojtjes nga punëdhënësi.

“Nga përvoja në teren, ne e shohim se gratë ngacmohen në vendin e punës, por nuk është se raportojnë në polici ose në organet që i kanë në vendin e punës, për shkak se nuk i besojnë organeve brenda vendit të punës”, thorë Sijarina për BIRN.

“Në shumë vende të punës gratë nuk e dijnë se brenda vendit tyre të punës nuk ka dokument që mundet me i mbrojtë ato prej ngacmimeve seksuale”, shton ajo.

Për më shumë, Sijarina poashtu beson se shoqëria patriarkale reflekton edhe në organet e rendit të cilat në vend se t’i mbrojnë gratë që raportojnë ngacmime apo dhunë seksuale, ato paragjykohen nga organet e rendit.

“Kemi pa që policët kanë tendencë me i fajësu vetë gratë dhe vetë viktimat nëse ato përjetojnë ndonjë ngacmim ose sulm seksual duke ia vë fajin atyre, gjë që i bënë ato me u step. Gratë nuk dojnë me shku dikun edhe me u fajësu”, thotë ajo.

Fjolla* nga Prishtina është njëra ndër to që nuk e kishte raportuar ngacmimin seksual as në vendin e  punës e as në polici.

Me profesion gazetare në një ditë të punës së bashku me kolegun e saj ishte nisur për në teren dhe aty kishin filluar ngacmimet e vazhdueshme seksuale, për të vazhduar më vonë edhe në zyrë.

Ajo thotë se ngacmimi seksual kishte eskaluar duke kaluar me një fjalor me një ton shumë kërcënues.

Më ka thënë fjalë si ‘unë mundem me të prek ty edhe ti nuk mundesh me ba kurgjo’ edhe në orar të punës”, rrëfen ajo.

“Kur i kam thënë se nuk mundesh, më është kthy: ’t’i kisha mbyll dyert por që ti mundesh me fol edhe me ba të madhe’”, tregon ajo. 

E gjendur në këtë situatë dhe me frikë se mund ta humbte vendin e punës, ajo iu kishte shmangur kontakteve me ngacmuesin.

“Me tregu ma herët jam frikësu që mundem mos me pas punën të cilën e kam pas në atë kohë”, shton ajo.

Fatmirisht, ngacmuesi kishte lënë punën…

Në Kosovë gratë janë të cenuara edhe nga shkalla e ulët e punësimit. 

Sipas Sijarinës, “një pjesë e grave kanë frikë se nëse ato raportojnë kanë me e humb vendin e tyre të punës”.

Në anën tjetër në vitin 2020 sipas një raporti tëi Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e punësimit në mesin e grave në moshë punë ishte vetëm 14.1 përqind apo rreth 123 mijë gra janë të regjistruara në tregun e punës në krahasim me burrat që janë 44 përqind, apo mbi 340 mijë burra të regjistruar si punëtorë.

Por sipas Sijarinës, janë të shumta rastet kur mosraportimi vie poashtu nga frika e stigmës që mund të pësojnë gratë që flasin për ngacmimet e burrave. 

Gratë ndihen se iu cenohet intergriteti i tyre nëse raportohet ngacmimi seksual, për shkak se në një shoqëri ku faji të vihet ty dhe ti je ajo që i ngacmon burrat. Gratë nuk dojnë me e cilësu vetën si të përdala që po i provokojnë burrat”, thotë ajo.

Për Fjollën, ngacmimet seksuale kanë tejkaluar zyrën ku ajo punon dhe janë pothuajse një  përditshmëri e shëmtuar.

“Kam pasë rast me një të intervistuar, kur kam përfundu intervistën duke më përshëndet me anë të dorës e kam vrejtë një shtrëngim më ndryshe të  dorës”, thotë ajo.

“Menjëherë pasi jam kthy në redaksi më erdh mesazhi: ‘Ke një qëndrim dhe një fizikë prej princeshe’”, tregon Fjolla, para se i njejti ta ftonte në  takim. 

Sidoqofta, Fjolla thotë se sot më nuk e duron ngacmimin seksual as në  punë  e askund tjetër. “Nëse isha kthy edhe një herë [në kohë], çfarë do lloj ngacmimi menjëherë e kisha raportu”, thotë ajo.

Ndërkohë, Sijarina insisiton se shteti duhet të bëjë më shumë që t;i inkurajojë raportimin e ngacmimi seksual dhe formave tjera të dhunës seksuale në punë.

“Institucionet nuk kanë mujt me e promovu mjaftueshëm ligjin, që personat me u thirrë. Shteti duhet me u merr që me i bë ligjet më të aplikueshme, për shkak se nuk janë ligjet me mbet aty dhe me thënë se e kemi një bazë të mirë ligjore, nëse askush në fund të ditës nuk u’a sheh hajrin”, thotë Sijarina.

*Leona dhe *Fjolla janë fiktivë për të  mbrojtur identitetin.