Qendra ‘Artpolis’ i bashkohet fushatës kundër dhunës gjinore

“Artpolis”, Qendra për Art dhe Komunitet, ka bërë të ditur përmes një njoftimi për media se do të realizojë disa aktivitete në kuadër të fushatës “16 Ditët e aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore”.

Këtë vit 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore mbahet me moton: “Ngjyrose Botën Portokalli: Jepi fund dhunës ndaj grave tani!”.

“E drejta për të jetuar e pacenueshme dhe me dinjitet i përket secilës grua e vajzë në Kosovë dhe në botë, prandaj për ‘Artpolis’ fuqizimi i tyre, duke përdorur artin si mjet dhe luftimi i dhunës dhe vrasjes së grave mbetet mision i përhershëm”, thuhet në njoftimin e “Artpolis”.

Aktivitetet që “Artpolis” planifikon të organizojë gjatë fushatës 16 ditor kundër dhunës, janë:

  1. Shfaqja dans teatër “Totem dhe Tabu”, 4 dhjetor 2021, Teatri Kombëtar.
  2. Performanca artistike dhe marshi “Boll Ma – Asnjë grua e vajzë më pak, asnjë vdekje më shumë”, 5 dhjetor 2021, ora 12:00 – 13:00, platoja e Sheshit “Zahir Pajaziti” dhe Sheshi “Nëna Terezë”, me ndalesë para Qeverisë së Republikës së Kosovës.
  3. Shfaqja forum teatër “… Edhe mua” – 9 dhjetor 2021, ora 12:00 në Qendrën e Kulturës në Shtime.
  4. Panel diskutimi “Rregullorja kundër ngacmimit seksual në UP u aprovua. Si të vazhdojmë në 2022” – 10 dhjetor 2021, ora 11:00 – 14:00, Biblioteka Kombëtare.

“16 Ditët e Aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore” përkrahet nga: Ambasada Austriake në Kosovë, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia, UNFPA, CDF, cfd.

Fushata “16 Ditët e Aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore’ ka nisur më 25 nëntor 2021 dhe do të vazhdojë deri më 10 dhjetor 2021.