“Burrat e së drejtës” i lënë gratë e tyre pa prona

Të thirrur për të mbrojtur zbatimin e ligjit, përfshirë këtu edhe gratë kur kanë probleme me pronat, avokatët e Kosovës nuk janë duke dhënë shembull të mirë në barazi gjinore dhe regjistrim të pronave.

Krahas prokurorëve, gjykatësve e politikanëve, edhe avokatët nuk kanë respektuar në masë të madhe rekomandimet që pronat t’i regjistrojnë në emër të dy bashkëshortëve.

Vetëm tre avokatë burra nga 25 të kontaktuar nga BIRN kanë deklaruar se posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

BIRN në total ka kontaktuar 50 avokatë nga të gjitha qytetet e Kosovës, 25 gra dhe 25 burra.

Nga ky hulumtim ka rezultuar se vetëm 9 nga 25 gra avokate kanë pronë të paluajtshme të regjistruar në emër të tyre, 16 të tjera kanë thënë se nuk kanë pronë të regjistruar.

Ndër arsyet janë mungesa e trashëgimisë tek prindërit dhe regjistrimi i përbashkët i pronës pas martesës.

Avokatët janë ata të cilët çdo ditë nëpër gjykatat tona mbrojnë të drejtat e palëve të ndryshme dhe në shumë raste përfaqësojnë shumë gra dhe u ndihmojnë atyre për të fituar të drejtën e tyre në pronë.

Të një mendimi si duket janë edhe noterët tanë.

Hulumtimi tjetër i BIRN-it ka rezultuar se nga 69 noterë të Republikës së Kosovës, vetëm 8 kanë deklaruar se posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Nga 42 noterë nga të cilët kemi marrë përgjigje, vetëm 2 notere (gra) kanë deklaruar që posedojnë prona të regjistruara në emër të tyre, të cilat i kanë të regjistruara në emrin e tyre personal dhe jo në bashkëpronësi me bashkëshortin.

Përpos avokatëve dhe noterëve kryetarët e gjykatave ndodhen në një pozitë ende më alarmante.

Nga hulumtimi i BIRN-it i kryer në prill të vitit të kaluar ka rezultuar se asnjë kryetar (burrë) i gjykatave të Kosovës nuk posedon pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Në këtë grup hynë edhe profesorët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, të cilët nuk qëndrojnë aspak më mirë.

Profesorët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, të cilët çdo ditë ligjërojnë para studentëve lidhur me respektimin e normave juridike, kur vjen puna te regjistrimi i pronës, një numër shumë i vogël prej tyre mund të merret shembull lidhur me respektimin e barazisë gjinore.

Nga 39 profesorë, asistentë profesorë të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës të kontaktuar nga KALLXO.com, vetëm 5 prej tyre kanë deklaruar që posedojnë ndonjë pronë të paluajtshme të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet.

Ndërsa nga 17 përgjigjet e pranuara nga këta profesorë, asnjë grua profesoreshë në Fakultetin Juridik nuk ka deklaruar që posedon pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortin, madje nga përgjigjet e pranuara ato kanë deklaruar që nuk posedojnë asnjë pronë të regjistruar në emër të tyre.

E hulumtimi i BRIN-it i realizuar në qershor të vitit 2018 ka treguar se vetëm katër gra të kryetarëve të komunave të Kosovës kanë pronë në emrin e tyre.

Aktualisht nga të dhënat të cilat i posedon BIRN nga hulumtimet e kryera që nga viti 2018, rezulton se vetëm 35 nga  1,304 zyrtarë të lartë të Kosovës posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorte.

Pjesë e hulumtimit kanë qenë të gjithë zyrtarët e lartë të vendit, duke filluar nga kryetarët e komunave, nënkryetarët, drejtorët e drejtorive, gjykatësit, prokurorët, mbrojtësit e viktimave, kryetarët e gjykatave, kryeprokurorët, ministrat, zëvendësministrat, sekretarët e ministrive, drejtorët e rajoneve policore, deputetët e deri te presidenti e kryeministri.

Kurse nga të dhënat e fundit të pranuara nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, lidhur me regjistrimin e pronave në emër të përbashkët të të dy bashkëshortëve kemi kuptuar se deri më tani në vendin tonë në total vetëm 5 mijë e 392 prona janë të regjistruara në emër të të dy bashkëshortëve. Nga kjo shifër, në vitin 2019, në emër të dy bashkëshortëve u regjistruan 2 mijë e 110 prona.

Momentalisht në Kosovë, vetëm 15,2% apo 358 mijë e 907 prona janë të regjistruara në emër të grave.

Që nga viti 2016 Qeveria e Kosovës e ka miratuar këtë udhëzim administrativ për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve. Duke e parë si faktor të rëndësishëm inkurajimin e çifteve të reja që nga fillimi i krijimit të pronës ta gëzojnë të drejtën e regjistrimit të asaj prone në emër të dy bashkëshortëve, e drejtë që është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet në fuqi, vit pas viti Qeveria e ka ndryshuar këtë udhëzim për të zgjatur periudhën e zbatimit pasi që është konsideruar se ka pasur ndikim pozitiv sa i përket rritjes së numrit të pronave të regjistruara në emër të përbashkët të të dy bashkëshorteve.

Ky udhëzim administrativ u mundëson bashkëshortëve që në rast se e regjistrojnë pronën në emër të përbashkët, të njëjtit lirohen nga tarifa për shërbimin e regjistrimit, lirohen nga tatimi mbi pronën për periudhën 1 vjeçare si dhe lirohen nga tarifa për shpenzimet e noterit.