Stacioni i Policisë në Lubizhdë - Foto: KALLXO.com

Policia e Prizrenit me Stacion të Ri

Policia e Prizrenit ka filluar punën në një stacion të ri, i cili gjendet në Lubizhdë.

“Me qëllimin më të mirë për të krijuar siguri dhe rend, për të krijuar një partneritet me qytetarët e komunës së Prizrenit, për të qenë më afër tyre dhe për t’iu përgjigjur sfidave që dalin para nesh, prej tani ka filluar të punojë Stacioni Policor në Lubizhdë, i njohur edhe si Stacioni Policor – Veriu”, thuhet në një komunikatë të Policisë.

Ky stacion është i vendosur në objektin e Drejtorisë Rajonale dhe është plotësisht i kompletuar edhe me personel edhe me logjistikë.

“Iniciativën për themelimin e stacionit të ri e ka marrë Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren dhe është përkrahur pa rezervë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë”, tha zëdhënsi i Policisë, Hazir Berisha.

Sipas zëdhënësit, stacioni i ri e ka të definuar qartë territorin që do ta ketë në kompetencë dhe ky territor përbëhet prej 27 fshatrave me mbi 43 mijë banorë të etnive të ndryshme.

Po ashtu, në këtë territor veprojnë numri më i madh i bizneseve dhe operatorëve ekonomikë, por edhe objekte tjera të rëndësishme.

“I njoftojmë qytetarët e këtyre fshatrave që kurdo që kanë nevojë për  dokumentacion që jepet nga Policia tani e tutje të vijnë në Lubizhdë”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Ky stacion do të shërbejë për këto vendbanime: Caparc, Arbanë, Gërnaçar, Kabash, Krushë e Vogël, Korishë, Landovicë, Lutogllavë, Malësi e Re, Medvec, Novakë, Novosellë, Petrovë, Piranë, Prizren (një pjesë), Randobravë, Sërbicë e Epërme, Sërbicë e Poshtme, Skorobisht, Smaç, Shpenadi, Trepetnicë, Velezhë, Vërbiçan, Dojnicë dhe Zojz.