Forcat Speciale të Policisë së Kosovës - Foto: Facebook

Policia e Kosovës Parandaloi Sulme Terroriste

Në kuadër të disa operacioneve të ndërmarra ditëve të fundit në shkallë vendi, Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria Kundër Terrorizmit, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI) dhe me Prokurorinë Speciale, ka arritur të parandalojë sulme terroriste të planifikuara dhe të sinkronizuara që të ndodhin në të njëjtën kohë jo vetëm në Republikën e Kosovës por edhe në rajon.

Sipas Policisë, institucionet e sigurisë në vazhdimësi monitorojnë dhe trajtojnë personat që shfaqin elemente ekstremiste dhe në kuadër të këtyre veprimeve kanë kuptuar se persona të caktuar ishin në kontakt me të dyshuarin L.M., nga i cili merrnin udhëzime në përgatitjen dhe kryerjen e sulmeve terroriste në rajonin e Ballkanit.

“Pas një monitorimi dhe hetimi për një periudhë të gjatë kohore, ku janë përdorur të gjitha masat e specializuara të fshehta të hetimit, është arritur të sigurohen prova të mjaftueshme ku personat e caktuar ishin në planifikim të kryerjes së akteve terroriste në Republikën e Kosovës si dhe ndaj përfaqësueses së Izraelit në futboll, fansave të tyre që pritej merrnin pjesë gjatë ndeshjes futbollistike Shqipëri-Izrael”, njofton në një komunikatë Policia.

Policia më tej thekson se gjatë hetimeve ka kuptuar se këta persona të dyshuar kanë qenë të ndarë në grupe të ndryshme dhe të koordinuar nga terroristi L.M., nga i cili kanë marrë udhëzime.

“Këto grupe kanë vepruar të ndara, por që në koordinim me L.M. dhe R.H., të cilët gjenden në Siri përkrah ISIS-it, kanë pasur objektiva të qartë se kush dhe kur duhet të sulmohet”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në kuadër të këtyre operacioneve nga data 4 nëntor e deri më sot janë arrestuar 19 persona të dyshuar, 18 prej tyre shtetas të Republikës së Kosovës dhe një shtetas i Republikës së Maqedonisë.

Me vendim të prokurorit kompetent 18 personave të dyshuar iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa njëri prej tyre është liruar në procedurë të rregullt pas ndalimit prej 48 orësh.

Gjatë realizimit të këtyre operacioneve Policia njofton se në cilësinë e provave materiale ka konfiskuar: 281 gr eksploziv i llojit TATP (vlerësohet si një ndër eksplozivët më të rrezikshëm dhe më të ndjeshëm), rreth 2.5 kg substancë e përzier me lëndë shpërthyese në gjendje të kristaltë, një pushkë gjysmë-automatike, një pushkë gjuetie, një revole me gas, 719 fishekë të kalibrave të ndryshëm, një dron, radiolidhje, telefona celularë, laptopë, shtëpiza kompjuteri, USB, si dhe materiale e literaturë fetare.

Më tej, në njoftimin e Policisë thuhet se Kosova, si pjesë e koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS, për këtë rast ka bashkëpunuar edhe me autoritetet nga shtetet e rajonit – Shqipërinë dhe Maqedoninë, vende ku po ashtu ka pasur arrestime të personave të dyshuar.

KALLXO.com raportoi ditëve të fundit për operacionet e Policisë gjatë të cilave u arrestuan disa të dyshuar për përgatitje të veprave terroriste.

http://kallxo.com/paraburgim-te-udhezuarve-nga-lavdrim-muhaxheri/

http://kallxo.com/dalin-para-gjykates-ushtaret-e-lavdrim-muhaxherit/

http://kallxo.com/paraburgim-te-dyshuarve-per-planifikim-te-sulmeve-terroriste/