Baki Kelani, zëdhënës i Policisë

Policia Bën Bilancin e Protestës

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha sot se njësitet policore kanë reaguar ndaj protestuesve atëherë kur një gjë e tillë, sipas tij, u pa e domosdoshme.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur pas trazirave të sotme në Prishtinë, Kelani u shpreh se hedhja e gjësendeve nga protestuesit ka filluar “kur po mbante fjalim kryetari i Vetëvendosjes”.

Kelani tha se në protestën e sotme morën pjesë rreth 8 mijë qytetarë.

“Koktej molotovi është mjet i rrezikshëm dhe mund të jetë vdekjeprurës për zyrtarët policorë”, u shpreh Kelani.

Ai tha se një kujdestar me shirit të kuq në krah është munduar t’i ndalë protestuesit por nuk ia ka arritur.

“Në një moment ka ardhur edhe deri te rreziku për konflikt mes protestuesve”, tha zëdhënësi i Policisë.

“Policia është detyruar të intervenojë duke përdorur mjetet e ligjshme për t’i shpërndarë protestuesit. Protestuesit në vazhdimësi kanë qenë të dhunshëm duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe zyrtarëve policorë”, tha Kelani.

Ai tha se 10 policë, dy qytetarë dhe 2 gazetarë kanë pësuar lëndime përderisa 24 protestues janë shoqëruar në stacionin policor.

“Policia ka arritur ta vëjë situatën nën kontroll”, tha ai.