Podujeva debaton mbrojtjen e ambientit dhe menaxhimin e mbeturinave

Dy projekt rregullore që kanë të bëjnë me mbrojtjen e ambientit dhe menaxhimin e mbeturinave, kanë qenë temë e debatit publik, që u mbajt të hënën dhe të martën në sallën e Kuvendit të Komunës së Podujevës.

Sipas njoftimit të kësaj komune, gjatë prezantimit të Propozim Rregullores për Mbrojtjen e Mjedisit para qytetarëve nënkryetari Nexhmi Rudari, tha se me këtë rregullore përcaktohen rrethanat dhe kushtet e përgjithshme për mbrojtjen e mjedisit në Komunën e Podujevës në përputhje me specifikat e saj.

Sipas njoftimit, lidhur me këtë dokument qytetarët dhanë sugjerimet dhe propozimet e tyre.

Ndërsa, në debatin e mbajtur të martën për propozim Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave në Komunën e Podujevës, nënkryetari Rudari, duke prezantuar këtë dokument, tha se kjo rregullore ka për qëllim të rregullojë çështjen e menaxhimit të mbeturinave në territorin e komunës, vlerën (shumën) e taksës për mbeturina, në funksion të krijimit të një sistemi të qëndrueshëm financa mbi menaxhimin e mbeturinave.

“Kjo rregullore definon kushtet për menaxhimin e integruar të mbeturinave me qëllim të ruajtjes-mbrojtjes së mjedisit jetësor nën juridiksionin e Komunës”, shtoi ai.

Sqarime lidhur me këtë dokument ka dhënë edhe drejtori Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi.

Qytetarët e pranishëm në debat kanë bërë pyetje lidhur me mënyrën e menaxhimit të mbeturinave dhe funksionimin e dy kompanive që operojnë në territorin e komunës.

Më tutje thuhet se Propozim Rregullorja për Mbrojtjen e Mjedisit dhe propozim Rregullorja për Menaxhimin e Mbeturinave në Komunën e Podujevës janë në diskutim publik deri më 03.07.2019 dhe janë të publikuara në ueb faqen e komunës dhe Facebook zyrtar të Komunës.