Foto: Kallxo.com

Pllakë përkujtimore për veteranin e UÇK-së Ilmi Lufaj që u vra nga polici

Në Deçan sot u nderua veterani i UÇK-së, Ilmi Lufaj i cili i mbijetoi luftës por mbeti i vrarë në vitin 2016 afër Stacionit Policor të Deçanit nga arma zyrtare e rreshterit policor, Shefqet Kameraj.

Ilmi Lufajt, ish- ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili u vra para dy vitesh nga polici Shefqet Kameraj, iu ngrit një pllakë përkujtimore në Deçan.

Përveq Ilmiut, në këtë pllaku u nderua edhe xhaxhai i tij, Agim Lufaj i cili ishte pjesë e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK).

Pllaka përkujtimore u zbulua te varrezat e fshatit Strellc i Ulët.

Në përkujtimin e ish-ushtarit Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, çmuan lartë veprën dhe sakrificën e tyre dhënë para dhe gjatë luftës në Kosovë.
Ramosaj, tha se Ilmi e Adem Lufaj ishin shembull për të gjithë me veprat e tyre për çështjen kombëtare.

“I paharruar qoftë kujtimi për ta, e familjes Lufaj i them që të bëhen krenar sepse për krejt veprat që i ka bërë edhe Agimi, e sidomos bashkëluftëtari jonë Ilmi Lufaj kanë me qenë të paharruar për neve”, tha Ramosaj.

Të pranishmit, pas zbulimit të pllakës përkujtimore, nderuan me një minutë heshtje ish luftëtarin e UÇK-së, Ilmi Lufaj dhe veprimtarin e LPRK-së, Agim Lufajn.

Në aktakuzën që ishte ngritur ndaj policit Kameraj ishte përshkruar në tërësi incidenti i 19 prillit 2016 i cili për një kohë të gjatë u debatua në publik.

Aktakuza e përshkruan se atë natë miku i Ilmi Lufajt, Besfort Elshani, ishte arrestuar nga policia pas disa të shtënave në qendër të Deçanit.

Lufaj kishte shkuar në stacion për të biseduar për shokun e arrestuar, por diskutimi kishte eskaluar në një fjalosje në mes Lufajt e rreshterit Kamberaj.

“Kam me ta q*** nënën, familjen, krejt çka i ke të gjallë e të vdekur dhe nuk ke me qit kon ma jasht veç në hysh ka je dalë”, ishin fjalët e drejtuara nga Lufaj kundër Kamerajt.

Pas ofendimit, i ndjeri Ilmi Lufaj u largua nga oborri i stacionit policor pas ndërhyrjes së tre policëve, duke u dërguar përballë pompës së benzinës “Al- Petrol”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Kameraj, pesë minuta pas ofendimeve dhe fyerjeve të Lufajt, shkoi te viktima, nxori pistoletën e tij dhe e goditi Lufajn me një plumb në veshin e majtë.

Siç përshkruhet në aktakuzë, Lufaj kishte tentuar të ikte nga vendi i ngjarjes duke e lutur Kamerajn që të mos e godasë përsëri, por Kameraj e kishte goditur viktimën për herë të dytë në kokë duke e lënë të shtrirë dhe pa shenja jete.

Shefqet Kamberaj për këtë vrasje u dënua vitin e kaluar me 16 vite burg.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi rreth vrasjes se Ilmi Lufajt dhe procesit gjyqësor ndaj ish-rreshterit policor, Shefqet Kameraj.