Përplasje e Akuza në Komision për Rastin Dehari

Deputetët Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes, Armend Zemaj i LDK-së dhe Selvie Halimi e PDK-së debatuan ashpër në Komisionin për Legjislacion.

Krejt kjo për shkak të kërkesës së kryetares së Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu që të thërrasë në raportim kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha dhe ministren e drejtësisë Dhurata Hoxha për rastin e vdekjes së Astrit Deharit në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Por, deputetja Selvie Halimi tha se ky komision nuk ka kompetencë të thërrasë në raportim një prokuror. Ajo tha se Komisioni ka kompetencë ta thërrasë vetëm ministren e drejtësisë, por duhet të presin për përgjigje për hetim ndërkombëtar të këtij rasti.

“Ne duhet të kërkojmë përshpejtimin e procedurave e në bazë të rezultatit më pas mund të kërkojmë përgjegjësi politike”, tha Halimi.

“Qoftë shtytës apo qoftë kryes, kushdo qoftë ai duhet të ndiqet penalisht”, shtoi Halimi.

Ndërsa deputetja Albulena Haxhiu i tha se nuk e kupton këtë “qëndrim radikal dhe ndoshta e ke nga presioni”, duke shtuar se Ministria e Drejtësisë nuk mund të kërkojë hetime ndërkombëtare pa u konsultuar me familjen.

Replika e Selvie Halimit ishte e menjëhershme.

“E respektoj gjendjen tënde shëndetësore, por mos gënje. Nuk zgjidhen problemet duke më akuzu ti mu e unë ty”, tha ajo.

“Nuk thash mos me u suspendu askënd, të ketë edhe suspendime e edhe ndjekje penale, qoftë për bërësit, qoftë për shtytësit”, tha Halimi.

Por, situata u tensionua edhe më shumë kur fjalën e mori deputeti Armend Zemaj, i cili i kërkoi deputetes Haxhiu që të mos mbaj monolog, duke ia kujtuar se në komision janë 11 anëtarë të cilët duan të flasin.

Madje ai akuzoi Haxhiun që në raportimin e një muaji më parë të ministres së drejtësisë për menaxhim të burgjeve ajo nuk i ka bërë as një pyetje konkrete, veç atyre politike.

“Interesimi yt ka qenë politik. Edhe kjo thirrje është politike, me politizu rastin e jo me zbardhë”, tha Zemaj.

Deputetët Nezir Çoçaj, Selvie Halimi, Agim Aliu e Armend Zemaj lëshuan mbledhjen.

Pas tyre doli edhe kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu e krejt në fund edhe deputetët tjerë të opozitës.