Mbrohen në Heshtje të Akuzuarit për Udhëtarët e Mbetur Pa Aeroplan

Pasi konsiderojnë se prokurori nuk arriti ta vërtetojë fajësinë e tyre, shtatë të akuzuarit për udhëtarët e mbetur në aeroport po mbrohen në heshtje.

Mbrojtjen në heshtje e bënë të ditur në gjykatë biznesmenët Sibush Haziri e Hamzi Rrahimi. Njësoj u deklaruan edhe dy zyrtarët e Ministrisë së Transportit Nexhat Bala e Ismail Berisha, i cili mbështeti qëndrimin e avokatit të tij Ymer Huruglica.

Edhe Besnik Berisha, avokati i Besnik Mustafës tha se deri në këtë fazë të shqyrtimit gjyqësor as edhe një provë e vetme nuk e ngarkon të mbrojturin e tij.

Edhe Mexhid Syla, avokati i Selajdin Ujkanit paralajmëroi mbrojtjen në heshtje. Këtë lloj mbrojtjeje tha se do ta aplikojë edhe i akuzuari Shefqet Çerkini.

Në fillim të seancës, Admir Salihu, përfaqësuesi i palëve të dëmtuara, “DT Travel” dhe “Arbi Resisen” iu drejtua gjykatës me propozim për prova të reja.

“Përfaqësuesi i palës së dëmtuar ka bërë një parashtresë me shkrim në të cilën gjykatës i ka ofruar një vendim të Prokurorisë së Munihut me të cilin ishin pushuar hetimet për ‘Dardania Air’ dhe ‘Munich Airlines’ kundër kompanisë spanjolle ‘Pronair’,” tha kryetari i trupit gjykues Musa Kongjeli.

Një aeroplan i “Pronair-it” nuk ateroi në Aeroportin e Prishtinës më 7 gusht 2009, duke lënë pa shkuar në Gjermani udhëtarët që duhej të hipnin në të.

Sipas Kongjelit, Admir Salihu ka kërkuar edhe listën e udhëtarëve që duhej të udhëtonin më 7 gusht 2009.

“Ai gjithashtu ka kërkuar edhe që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet pronari i kompanisë “Dardania Reisen”, Florim Rudaj, e gjithashtu edhe që ka kërkuar  nga gjykata që të kërkojë nga Aeroporti i Prishtinës, listën e udhëtarëve nga data 7 gusht 2009 e tutje,” tregoi Kongjeli.

Propozimet e Salihut nuk u përkrahën nga prokurori Ali Rexha dhe avokatët e të akuzuarve, ndërsa u refuzuan edhe nga gjykata.

Ky proces gjyqësor lidhet me 1 mijë e 600 udhëtarët të cilëve në vitin 2009 nuk u erdhi aeroplani për t’i dërguar në Gjermani, ndërsa ata mbetën në hapësirat e Aeroportit të Prishtinës.

Zyrtarët e Ministrisë së Transportit Ismail Berisha dhe Nexhat Bala që ngarkohen për shpërdorim të detyrës zyrtare. Për të njëjtën vepër akuzohen edhe tre ish- punëtorë të bankës BPB, Besnik Mustafa, Selajdin Ujkani dhe Shefqet Çerkini.

Ndërsa të akuzuar për veprën penale të mashtrimit janë Sibush Haziri dhe Hamzi Rrahimi.

Ky gjykim, përpos rastit të udhëtarëve të mbetur pa fluturim, ka tërhequr vëmendjen e mediave edhe për shkak se njëri nga të akuzuarit është edhe Besnik Mustafa, djali i kryeministrit aktual.