Kryeministri Mustafa Lavdërohet, Bizneset Ankohen për Kushtet e të Bërit Biznes

Kryeministrit i Kosovës, Isa Mustafa, tha sot se investimet në Kosovë janë më të mëdha në pesë muajt e qeverisjes së tij sesa në vitet e kaluara.

Mustafa përmendi disa nga të arriturat e deri tanishme të Qeverisë Mustafa, duke filluar nga pakoja e re fiskale, marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar për ndryshimin e rregullës fiskale, procedimi i ligjit të Fondit Kosovar për garantimin e kredive, përgatitja e ligjit për investime strategjike, aprovimit e ligjit për faljen e borxheve.

“Gjatë periudhës së vitit 2015 kemi një tregues të rritjes së shumës së investimeve që janë bërë në Kosovë. Investimet janë më të mëdha në këta pesë muaj se sa investimet që kanë ndodhur vitin e kaluar”, tha Mustafa.

Kryeministri Mustafa të gjitha këto çështje i përmendi gjatë takimit që pati me bizneset dhe përfaqësuesit institucional të bizneseve në Kosovë.

Përkundër të arriturave që përmendi kryeministri Mustafa, disa nga bizneset shpalosen barrierat me të cilat ballafaqohen çdo ditë.

Por biznesmeni Kujtim Gjevori kërkoi që të lirohen nga taksa doganore.

“Nëse dëshironi që të na ndihmoni, atëherë lironani nga dogana, e jo vetëm nga TVSH-ja”, shtoi ai.

Ndërkaq, Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorit të Huaj, Shpend Balija ngriti shqetësimin e investitorëve në fushën minerare. Ai shtoi se Komisioni i Pavarur i Minierave dhe Mineraleve duhet të zbatojë strategjinë minerare e cila është aprovuar nga Kuvendi i Kosovës.

“Investitorët nuk duhet të mbesin peng i katër apo pesë autoriteteve administrative, secila duke  e interpretuar legjislacionin në mënyrën e vet”, përfundoi Balija.

Biznesmenët u ankuan edhe për çmimin e energjisë elektrike të cilin e vlerësuan të lartë, ndërsa kryeministri Mustafa u premtoi se kjo çështje do të rishikohet në të ardhmen.

Ilustrimi: Krushë e Madhe