Jahjaga: Të Diskutohet në Kuvend e jo në Rrugë

Dhuna dhe ajo çka u pa në qendër të qytetit natën e së hënës është e papranueshme dhe duhet të dënohet nga të gjithë, tha sot Presidentja Atifete Jahjaga.

Ajo ka folur për herë të parë, tri ditë pas skenave të dhunës dhe shkatërrimeve të cilat u panë në protestën e së hënës mbrëma.

“Të gjitha mosmarrëveshjet politike duhet të adresohen dhe duhet të zgjidhen përbrenda institucioneve të Republikës së Kosovës dhe normalisht sepse duhet të zgjidhen përmes mekanizmave dhe përmes normave demokratike. Më keni dëgjuar shumë herë të bëj thirje të gjithë deputetëve të Kuvendit që debatin ta kthejnë në Kuvendin e Kosovës në institucionin ku janë zgjedhur nga qytetarët e jo t’i thellojnë më shumë problemet e qytetarëve të vet”, tha Jahjaga.