Gjykata nuk Lejon Ekspertizë të Re në Rastin e Bankierëve

Mbrojtja e Nazmi Mustafës kërkoi ekspertizë të re, pasi dy dokumente të reja të paraqitura në gjykatë në rastin e bankierëve ndryshuan ekspertizën aktuale.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë edhe sot vazhdoi gjykimi ndaj tetë të akuzuarve për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi dhe lidhje të kontratës së dëmshme.

Në seancën e sotme vazhdoi të merret në pyetje nga avokatët mbrojtës të të akuzuarve Riza Blakaj që bëri ekspertizë për këtë rast.

Para ekspertit, Hazër Susuri, avokati i të akuzuarit Zylfi Arifaj paraqiti dy dokumente të reja, të cilat Blakaj e pranoi se nuk i kishte kur hartoi ekspertizën në vitin 2008.

Pas paraqitjes së këtyre dokumenteve prokurori e pyeti Blakajn nëse dëshiron t’i shohë këto dokumente dhe t’i krahasojë me ato të Bankës BpB, për ta parë se kush ka paraqitur dëshmi të rreme, ndërsa Blakaj përmirësoi ekspertizën e tij sa i takon shifrave që lidhen me Zylfi Arifajn.

Përmirësime ekspertizës së tij Blakaj i bëri edhe në seancën e kaluar kur mbrojti ekspertizën e hartuar shatë vjet më parë.

Paraqitja e dokumenteve të reja në rastin e tetë bankierëve shtyri Bajram Tmavën, avokatin e Nazmi Mustafës që të kërkojë ekspertizë të re për këtë proces gjyqësor.

Këtë propozim e përkrahën edhe avokatët e tjerë, përveç avokatëve Hilmi Zhitia mbrojtës i Sherafedin Zhitisë dhe Hazër Susurit mbrojtës i Zylfi Arifajt.

Trupi gjykues mori vendim që të refuzohet propozimi i avokatit Bajram Tmava për ekspertizë të re.

Por ky trup gjykues i dha detyra shtesë ekspertit Blakaj. E obligoi atë që të bëjë edhe një raport ku do të vërtetohet shuma e përgjithshme e borxhit, shuma individuale e secilit të akuzuar veç e veç si dhe shuma e borxheve të grupeve në tërësi që ceken në aktakuzë.

Po ashtu eksperti u obligua nga trupi gjykues të vërtetojë se a janë kthyer kreditë e marra dhe kur janë kthyer, a janë rrezikuar ndonjëherë depozitat e klientëve dhe rrezikshmëria e likuiditeti i bankës.

Prokuroria ngarkon të akuzuarit se duke punuar në Bankën BpB kanë dhënë kredi në emër të disa bizneseve, ndërsa këto kredi nuk ishin shfrytëzuar nga biznesmenët në emër të të cilëve janë marrë.

Gjithashtu filiali i kësaj banke në Pikën Kufitare të Vërmicës kishte bërë marrëveshje me disa klientë të BpB-së që nëse nuk kanë para për t’ua paguar doganën mallrave që sillnin përmes kësaj pike, banka do t’ua paguante zhdoganimin.

Gjykata kërkoi gjithashtu nga eksperti Blakaj që të përcaktojë shumën e dëmit të shkaktuar Bankës BpB nga Zylfi Arifaj dhe grupi Brajshori pas vërejtjeve të bëra dhe ndryshimeve në seancën e kaluar dhe atë të sotme dhe verifikimit të dokumenteve prezantuara nga mbrojtja e Zylfi Atifajt.

Në këtë proces gjyqësor për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi dhe lidhje të kontratës së dëmshme akuzohen Nazmi Mustafa, Nail Reshiti, Skender Blakçori, Ismet Brajshori, Islam Zeka, Serafedin Zhitia, Zylfi Arifaj dhe Pashk Bala.

Seanca e radhës u caktua më 29 qershor 2015.