Enver Sekiraqa Deklarohet i Pafajshëm, Prokurori Kërkon Së Paku 35 Vjet Burg

Sot në Gjykatën e Apelit në Prishtinë nën masa të rrepta të sigurisë u mbajt seanca kundër Enver Sekiraqës.

Prokurori i EULEX-it Andrew Carney, lexoi aktakuzën sipas të cilës Enver Sekiraqa akuzohet për veprat penale, shtytje në vrasjen e ish policit të njësisë special të Policisë, Triumf Riza, detyrim, dhe dhunim.

Pas leximit të aktakuzës, Sekiraqa u deklraua se ndihet i pafajshëm në të gjitha pikat e akuzës që rëndojnë mbi të.

“Asnjërën nga këto vepra që u përmenden këtu nuk i kam kryer unë. Ndihem plotësisht i pafajshëm”, tha Sekiraqa.

Të pranishëm në seancë ishin edhe të afërmit e Triumf Rizës. Babai i tij, Shefqet Riza, tha se qëndron prapa akuzës së Prokurorit dhe se nuk heq dorë nga asnjë e drejtë e tij.

Pas leximit të akuzës, Prokurori i rastit Andrew Carney prezantoi fjalën e tij përfundimtare, ku tha se vrasja e Triumf Rizës nuk ishte një dhunë e rëndomtë.

“Arben Berisha nuk kishte asnjë problem personal me Triumf Rizën. Ai që e tërhoqi këmbëz është jashtë logjike të besohet se ka vepruar i vetëm”, tha Carney

Carney gjithashtu tha se vrasja e Triumf Rizës ishte një vrasje tinëzare dhe e paskrupullt.

“Triumf Riza u vra prapa shpine. Në drejtim të tij u qëllua me 12 plumba, tre nga të cilët e qëlluan dhe ishin vdekjeprurës për të ndjerin”, tha Carney.

Ai u shpreh se krejt kjo vrasje kishte për qëllim hakmarrjen personale të Enver Sekiraqës ndaj Triumf Rizës.

“Enver Sekiraqa ishte i tërbuar për faktin që Adelina Ismaili po mbrohej nga Triumf Riza. Ai asnjëherë nuk ia fali e as nuk e harroi turpërimin nga duart e Triumf Rizës”, tha Carney.

Carney gjithashtu tregoi për rastet ku ishin përleshur grupi Sekiraqa dhe i ndjeri Triumf Riza.

“Në Swiss Casino kishte ndodhur një përleshje ku ishin përdorur dhe armët dhe në të cilin kishte mbetur I lënduar edhe tani i akuzuari Enver Sekiraqa. Gjithashtu Sekiraqa e gjente shkaktar të ndjerin Riza për një problem që ai e kishte pasur me Policinë e Ferizajt”, tha Carney duke arsyetuar motivin për të cilin Sekiraqa i ishte vënë pas Rizës.

Prokurori Carney gjithashtu në fjalën e tij përfundimtare elaboroi edhe pikën e akuzës për detyrim.

“Enver Sekiraqa nën kërcënim kishte përfituar nga Adelina Ismaili shuma të parave që varionin prej disa qindra eurove deri në 9 mijë euro”, tha Carney.

Këngëtarja Adelina Ismaili në këtë rast është në cilësinë e palës së dëmtuar. Ajo nuk ishte e pranishme në seancën e sotme, por Gjyqtari i EULEX-it, Arcadiu Sedek, tha se në ditët dhe javët në vijim do ta lokalizojnë vendndodhjen e saj dhe do ta ftojnë që të jetë e pranishme.

Babai i të ndjerit Riza, u deklarua së qëndron prapa Prokurorit, i cili i bëri shumë përshtypje për përgatitjen e tij. Por edhe ai deshi të shtojë diçka.

“Familja jonë është në Prishtinë që nga viti 1962 dhe asnjëherë nuk kemi pasur asnjë problem me ligjin. Kemi gëzuar gjithmonë autoritet dhe se kjo e ka bërë edhe më të çmuar Triumfin si polic”, tha babai i të ndjerit.

Riza gjithashtu tha se i biri i tij disa herë e kishte lajmëruar policinë e Kosovës për rrezikun që i kanosej.

“Të paktën katër deklarata ka dhënë në Polici i biri im për kërcënimet që po i bëheshin, por ato nuk janë marrë parasysh. Sikur të ishin marrë parasysh. biri im do të ishte gjallë”, tha Shefqet Riza.

Mbrojtja e Sekiraqës që përbëhet nga avokati slloven, Bostjan Penko dhe Kosovare Kelmendi gjithashtu paraqitën argumentet e tyre në favor të mbrojtjes së të akuzuarit.

“Jam i vetëdijshëm që kjo aktakuzë ka mbërritur deri në këtë fazë ku jemi por sipas mbrojtjes kjo aktakuzë do të duhej të hidhej poshtë shumë më herët”, tha Penko.

Ai kërkesën e tij e arsyetoi me faktin se askund në të nuk është e përcaktuar nxitja që Enver Sekiraqa i bëri Arben Berishës për ta privuar nga jeta Triumf Rizën.

“Askund në aktakuzë nuk është e përcaktuar as momenti, as mënyra as forma me të cilën është bërë nxitja”, tha Penko.

Penko gjithashtu tha se beson në pafajësinë e të mbrojturit të tij dhe se gjatë gjykimit do ta dëshmojnë këtë.

Por Prokurori Carney tha se kërkon që dënimi i Serkiraqës të jetë të paktën i ngjashëm me atë të Arben Berishës.

“Nëse i akuzuari do të shpallet fajtor, ne kërkojmë që dënimi ndaj të akuzuarit të jetë të paktën sa i Arben Berishës”, tha Carrney.

Arben Berisha është dënuar me 35 vite burgim për vrasjen e Triumf Rizës.

Në seancën e radhës, dëshminë e tij do ta japë babai i të ndjerit që në këtë rast është në cilësinë e palës së dëmtuar, Shefqet Riza.

Seanca e radhës do të mbahet më 5 nëntor.