Makineria e djegur e kompanisë "Saba Bellça", Foto: Facebook, Valon Etemi

Përkrahje nga Kosova për djegien e makinerive të kompanisë shqiptare në Luginë të Preshevës

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi i ka ofruar përkrahje pronarit të kompanisë “Saba Bellça”, pas diegies së makinerisë së kompanisë e cila merret me shtrimin e asfaltit.

“”Saba Bellça”, e cila operon edhe në Kosovë, është një ndër kompanitë e vetme nga Lugina, që operon me sukses, por me shumë vështirësi dhe presione, në tregun serb. Sulmet me motive etnike, ndaj bizneseve, duhet të denohen dhe denoncohen fuqishëm nga të gjitha institucionet relevante në Luginë, Kosovë dhe Shqipëri. Biznesit i duhet mbrojtje dhe siguri (fizike dhe juridike)”, ka shkruar Rukiqi në Facebook.

Konfirmimin për diegien e makinerive të kompanisë së tij e kishte bërë edhe Valon Etemi, pronari i “Saba Bellça”.

“Deri kur do të vazhdojnë të ndodhin këto nënçmime dhe këto përbuzje, fatkeqësisht në këtë shtet të ashtëquajtur “Demokratik””, ka shkruar Etemi në Facebook.

Për diegien e makinerisë së kompanisë shqiptare në Luginën e Preshevës ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi.

Ai ka thënë se pasojat e politikës albanofobe të cilëve ditëve të fundit i ka paraprirë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, për një invazion të shqiptarëve mbi Vranjën, sipas tij po bien mbi kurrizin e kompanive shqiptare.

“Vënia e zjarrit nëpër makineritë e kompanisë “Saba Bellça”, përveç që dëshmon mosgatishmërinë e shtetit për t’i mbrojtur kompanitë shqiptare, ajo flet edhe për mentalitetin e mbrapsht që i përket viteve të ’90 ta”, ka shkruar Kamberi në Facebook.

Kamberi është shprehur se përveç dëmtimit të drejtëpërdrejtë të shkaktuar kompanisë shqiptare “Saba Bellça”, një gjest i tillë ngjallë frikën jo vetëm ndaj kompanive shqiptare por dëshmon edhe mungesë të stabilitetit për investitorë të huaj.

“Heshtja e institucioneve kompetente për të pestën herë rradhazi le të kuptohet që ato ose nuk janë të gatshme për t’i mbrojtur dhe trajtuar në mënyrë të barabartë të gjitha kompanitë e sukësesëshme ose përkrahin fushatën antishqiptare që ka për qëllim pengimin e biznesit shqiptar”, ka theksuar Kamberi.

Ai ka thënë se shpreson që ky rast të mos kalojë në heshtje. Sipas Kamberit, kjo problematikë duhet të ngritet në instancat më të larta vendore dhe kombëtare.